Tre artistë, në vendet e ndaluara të Tiranës
Teksa e sheh në një format të madh sa një bojë njeriu, e veshur në të zeza e me duar të mbledhura, të kujtohen plakat e jugut tek rrinë në sofatet e portave dhe thurin çorape me “krriga”. Ajo mund të jetë gjyshja që kemi përshëndetur përpara se të dilnim nga shtëpia. Me gruan bjonde, apo vajzën me sy jeshil mund të shkëmbeheshim në rrugë, apo nëpër shkallët e pallatit. Shfaqen zakonshëm dhe është e vështirë të shquash tek ato diçka ndryshe. E vërteta është se pas çdonjërës fshihet një histori e dhimbshme. Si edhe në projekte të tjera, artistja holandeze Annaleen Louëes është e interesuar të zbulojë identitetin e njerëzve që jetojnë në rrethana të vështira. Si një nga “rezidentet” e projekteve të TICA-s (Tirana Institute of Contemporary Art), gjatë qëndrimit 2-mujor në Tiranë, Louwes përzgjodhi të hulumtojë në “botën” brenda hekurave. Përgjatë dy muajve ajo u bë shoqe e grave që vuajnë dënimin në burgun 325 në Rrugën “Ali Demi”. Ato pozuan për të dhe Louwes i paraqiti në ekspozitën “Për ata që nuk mund të hyjnë”, në Galerinë “Zeta”, në krahë të punëve të dy artistëve të tjerë, Yllka Gjollesha dhe Syabhit Shkreli. Duke iu përmbajtur temës, të tre artistët, nën kurimin e Edi Mukës, zbulojnë për publikun ca hapësira, ku të tjerë njerëz nuk mund të hyjnë.
Louwes zbulon një botë prej nga ku në të vërtetë njerëzit duan të dalin, por ku gjithsesi jetohet. “Kur hyra për herë të parë në mjediset e burgut, pata ndjesinë se po hyja në një kamp veror, pasi koha ishte e mirë dhe gratë ishin ulur jashtë në oborr. Megjithëse e di fort mirë situatën në të cilën ato gjenden, fillova të ndihem si në shtëpi, sa herë që shkoja për t’i vizituar dhe për të punuar”, - thotë Annaleen. Madje ajo u bë “njeri i besuar” për gratë. Ato i pozonin me qejf, ndërsa artistja ua tregonte fotografitë e zhvilluara në vizitën e ardhshme. Ato i kërkonin edhe ndonjë shërbim të vogël, siç ishte rregullimi apo zmadhimi i ndonjë fotografie të familjarëve, prindëve, apo fëmijëve. Për ekspozitën e TICA-s ajo ka përzgjedhur disa portrete të grave të dënuara, mes të cilave edhe fotografija e plotë e një të moshuare, me ca sy të gjakosur, që të duket sikur të shoqëron me shikim në gjithë hapësirën e galerisë. Por qëllimi i artistes nuk është t’i paraqesë ato si dënimvuajtëse të krimit, por si individë që jetojnë në një kontekst të caktuar.
Artisja Yllka Gjollesha të fton gjithashtu në një hapësirë ku të tjerët e kanë të pamundur të hyjnë. Fillimisht e ndjek në dhomën e nusërisë. Është momenti i rregullimit të nuses, një nga më emocionuesit për një vajzë të re. Parukierja i kreh flokët, i vendos vellon, kurorën… ndërsa në sfond një kaba me klarinetë, tipike për kësi lloj rastesh. Në krah të ekranit ku shfaqet ky ritual, është fotografia e parë e bebit të saj, një zmadhim i një ekoje shtatzënie. Është vajzë dhe shumë shpejt do të vijë në jetë. “Ajo ka nxitur tek unë kureshtjen dhe padurimin për ta njohur, për ta prekur e ledhatuar. Ajo është dhe do të jetë pjesë e imja dhe pyes veten si do të jetë, si do ta ketë fytyrën, flokët, sytë, zërin”, - tregon Yllka, e magjepsur nga kjo përvojë. Prej kohësh ato (nënë e bijë) komunikojnë me njëra-tjetrën. I flet fjalë të ëmbla, i ka blerë veshje, por mund ta shohë vetëm përmes një ekrani kompjuteri, ndërsa vogëlushtja e godet me shkelma dhe tani që po i afrohen ditët, e lë edhe pa gjumë. Përveç videoinstalacionit “Unë dhe bebi im”, Gjollesha paraqet edhe një seri fotografish plot kontraste, mes një jete të pamundur dhe varfërisë së dukshme. Ndërsa Syabhit Shkreli nuk kërkon shumë. Hapësirat e “ndaluara” ai i gjen pikërisht në dhomën e tij. Puna e Shkrelit është një kolazh dixhital me përmasat e një faqeje muri, që të jep idenë e vazhdimësisë së sallës së galerisë. Ajo është e përbërë nga dhjetëra fotografi të vendosura një mbi një, sipas fokusimit mbi objekte të ndryshme, por që në pamje të parë, syri e percepton si një të tërën. “Për ata që nuk mund të hyjnë” është ekspozita e dytë e TICA-s në Galerinë “Zeta”. Menaxheres së galerisë, Valentina Koçi, ky bashkëpunim i është dukur interesant, pavarësisht se ende njerëzit me arte pamore nënkuptojnë vetëm pikturën apo fotografinë. Tek punët e këtyre të rinjve ajo sheh gjuhë të reja komunikimi, të cilat duhen përkrahur. Ceremonia e hapjesë së ekspozitës, mbrëmjen e së martës, tregoi se ky lloj arti po i shton radhët e admiruesve. “Na u duk vetja si në kohërat e vjetra”, - tha Edi Muka.