E Diel, 1 Nëntor 2026

Lala: Të rinjve kuqezinj, "stazh" europian

Nëse futbollistët e rinj nuk lëvizin nga kampionati shqiptar, atëherë kombëtarja kurrsesi nuk mund të bëjë hapa para." Ky është mendimi i kapitenit Altin Lala. "Veterani" i kombëtares vlerëson talentin e të rinjve që u thirrën nga trajneri Ari Han për miqësoren me Poloninë, por, nga ana tjetër, thekson se ata duhet të largohen një orë e më parë nga kampionati shqiptar. Emra të tillë si Elis Bakaj, Andi Lila, Jahmir Hyka, Gilman Lika etj., përbëjnë brezin e ri të lojtarëve në ekipin kombëtar. "Kombëtares sonë i duhen sa më shumë lojtarë të rinj, pasi gradualisht ekipi do të rinovohet. Në grumbullimin që bëmë në Gjermani, pashë që disa lojtarë janë me talent dhe jam i bindur se do të jenë e ardhmja e kësaj kombëtareje. Tashmë kërkohet që ekipi të rrisë nivelin e lojës, dhe për ta bërë këtë, duhet që Bakaj, Lila, Hyka etj., të punojnë më shumë. Ata duhet të lëvizin nga kampionati shqiptar. Aktivizimi në një klub të huaj do t'u bënte më të mirë, dhe në këtë aspekt, kombëtarja do të përfitonte. Të gjithë janë të ndërgjegjshëm për nivelin e kampionatit shqiptar. Mënyra e stërvitjes dhe shumë gjëra të tjera lënë për të dëshiruar, kështu që një orë më parë, këta të rinj duhet të largohen. Kjo, në radhë të parë për të mirën e tyre dhe pastaj të kombëtares. Me kalimin në një klub europian, ata do të bëhen profesionistë të vërtetë,"- thotë kapiteni Altin Lala. Ndërkohë, 32-vjeçari që prej sezonit 1996-1997 luan jashtë Shqipërisë. Fillimisht, ai u aktivizua me ekipin inferior gjerman, Borusia Fulda, dhe që prej vitit 1998 e deri më tani është pjesë e Hanover 96. Ai është ndër lojtarët më me eksperiencë të Bundesligës dhe aktivizmi në të ka bërë që të mos e diskutojë praninë në kombëtare. Edhe trajnerët e huaj që kanë drejtuar ku- qezinjtë gjatë këtyre viteve, duke parë nivelin e kampionatit tonë, më shumë u kanë besuar lojtarëve që luajnë jashtë. Nga të thirrurit e holandezit, Altin Lalës, më shumë se kushdo tjetër i kishte bërë përshtypje niveli i mesfushorit të majtë, Gilman Lika. "Nuk e kuptova pse trajneri nuk e futi. Eshtë një lojtar me shumë talent dhe gjatë stërvitjeve në Gjermani më bëri shumë përshtypje. Ka shumë vlera dhe mund të luaj në çdo skuadër. Plus cilësive si lojtar, ai mbi të gjitha është një njeri i mirë. Besoj se do t'i bëj shumë punë kombëtares." Jorgis MEMO

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›