E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Rama u ndihmua nga Topi në bllokimin e integrimit

14-10-2011 / Gazeta 55

Zv/presidenti i Bundestagut: Gjermania mbështet Shqipërinë në rrugën e integrimit - do analizojmë progres raportin e KE


Për të dytën ditë radhazi kryetarja e Kuvendit akuzon hapur opozitën se ishte shkaktarja kryesore që Shqipëria nuk mori statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Akuza e Topallit shkon edhe më tej, ndërsa nuk kursen as Presidentin e Republikës, Bamir Topi si bashkëpunëtor në bojkotin dhe bllokimin e reformave. “Unë pardje isha në Hungari e dëgjova kryetaren e parlamentit të Serbisë që tha “ne pas gjysmë ore do jemi të buzëqeshur”, ata të Malit të Zi ishin të qeshur. Si shqiptare që isha, unë ndjehesha shumë keq. Kisha një dhimbje të madhe, unë mendoj se bojkoti ja ka arritur qëllimit. Z. Rama ka pasur plotësisht të drejtë. Të paktën e ka vonuar, e la vendin pa status këtë radhë”- u shpreh Topalli. Komentet e saj, kryuetarja e Kuvendit i bëri gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me zv/presidentin e Bundestagut gjerman, Eduard Osvald. Sipas kreyparlamentares Topalli, Shqipëria e meritonte notën pozitive në këtë proces sidomos për arritjet ekonomike. “Shqipëria pavarësisht recesionit të vendeve që ka përreth, falë modelit ekonomik ka një rritje ekonomike 4 % , rritje të eksporteve me 300 %, e rritje të ndjeshme  të investimeve. Por, ka një problem, bojkoti, bojkoti. Bllokimi që ja ka arrtiur qëllimit, qe për herë të dytë Shqipëria nuk ka status dhe do e paguajnë këtë sjellje të panevojshme të papranueshme që ka koston e vet. Në 12 kriteret, janë ligji për Gjykatën Administrative që është tre 3 vitesh në kalendarin e kuvendit dhe opozita nuk pranon ta votojë. Çdo reformë që ka votat e mazhorancës ka kaluar. Heqja e vizave ishte vetëm me votat e mazhorancës, se të varej prej opozitës do kishim ngelur pa viza. Ligji për reformën zgjedhore, po pres të ngrejmë grupin e punës. Po ashtu dhe për ligjin për kufizimin e imunitetit”- theksoi Topalli. E pyetur rreth apelit të Presidentit dje pas progres – raportit, Topalli tha: “Sa i takon bllokazhit unë i kam parë bashkë gjatë gjithë kësaj kohe, z. Topi dhe z. Rama”- tha më tej ajo.


Nga ana e tij, zv/presidenti i Bundestagut gjerman u shpreh se Gjermania do vazhdojë mbështetjen ndaj Shqipërisë. Ai theksoi se përveç 50 sipërmarrjeve gjermane që janë prezent në Shqipëri, jemi të interesuar për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe rritjen e investimeve. Zoti Osvald i përcolli Kryetares së Kuvendit përshëndetjen e Kryetarit të Bundestagut Gjerman, Lammert bashkë me ftesën për një vizitë zyrtare në Gjermani, ftesë që u mirëprit nga Kryetarja e Kuvendit.


Kryetarja e Kuvendit dhe zv/presidenti i Bundestagut, Oswald i’u përgjigjën interesit të medias:


Zonja Topalli, si e keni përcjellë progres-raportin e fundit, duke pasur parasysh që arsyeja kryesore e përmendur ka qenë ngërçi politik dhe bojkoti se pse Shqipëria nuk e mori statusin e vendit kandidat. Si e keni ndjekur këtë publikim të progres-raportit krahasuar edhe me vendet e tjera të rajonit?


Unë pardje isha në Hungari, në mbledhjen me Kryetarët e Parlamenteve të vendeve të rajonit, pa dalë ende progres-raporti, dhe dëgjova Kryetarin e Parlamentit të Serbisë që tha: “Pas dy orësh ne të gjithë do jemi të buzëqeshur”.Po shikoja Kryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, dhe vërtetë të gjithë ishin të qeshur. Si shqiptare, padyshim që ndihesha keq. Si Kryetare e Parlamentit kisha një dhimbje të madhe. Unë mendoj se bojkoti i’a ka arritur qëllimit! Zoti Rama ka patur plotësisht të drejtë, bojkoti i’a ka arritur qëllimit dhe ka lënë Shqipërinë pas status. Të paktën e ka vonuar statusin. Si Kryetare e Kuvendit ndiej dhimbje. Gjatë këtyre dy viteve kanë kaluar 400 ligje, 400 reforma, nuk kemi mundur të kalojmë vetëm katër që varen nga votat e opozitës. Historia e viteve të fundit, flet për një Shqipëri që nuk është në recesion edhe pse është e rrethuar nga kriza. Në Shqipëri që ka 4 % rritje ekonomike si asnjë vend tjetër i rajonit. Një Shqipëri në të cilën ka investime të huaja me një rritje disafish më të lartë. Një Shqipëri që sheh me optimizëm, një Shqipëri që nuk ka krizë, as si në Greqi, as si në vendet tjera, një Shqipëri ku vazhdojnë të rriten rrogat, pensionet, ku borxhi është nën kontroll, ku deficiti është në zbritje, ku inflacioni është nën kontroll. Por ka një problem: Bojkoti dhe bllokimi i cili i’a ka arritur qëllimit. Për herë të dytë, Shqipëria nuk ka status! Dhe do ta paguajnë këtë sjellje të panevojshme, të papranueshme që natyrisht ka koston e vet edhe në këndvështrimin e të rinjve, të rejave, dhe qytetarëve në përgjithësi.


Edhe një koment nga zoti Oswald lidhur me këtë çështje. A ka një mbështetje Gjermania për Shqipërinë, apo duket sikur ajo është e fokusuar më shumë për Serbinë, apo vende të tjera të rajonit? Duke pasur parasysh që secili prej këtyre vendeve ka konfliktet e veta qoftë politike apo të reformave të brendshme...


Sigurisht, në Bundestagun gjerman ne do të kemi mundësinë që të analizojmë bashkë me kolegët progres – raportin e sapo publikuar. Duke e diskutuar edhe në kuadër të punës së komisioneve të veçanta. Zonja Kryetare në bisedën që ne patëm më prezantoi në mënyrë të hollësishme në këtë pikë dhe sigurisht me kolegët e mi në Bundestag me kolegët e mi do të kemi mundësinë për të diskutuar hollësisht rreth kësaj duke përshtatur edhe konsulencën tonë mbi bashkëpunimin tonë të mëvonshëm midis dy parlamenteve.


Zonja Topalli, në fakt, zoti Fule foli për 12 kriteret e rekomandimit të KE për statusin kandidat të Shqipërisë dhe përveç ngërçit politik që ishte një nga shkaktarët kryesorë tha që nuk janë përmbushur edhe pikat e tjera...


Në 12 kriteret janë; Ligji për Gjykatën administrative që prej tre vitesh është në kalendarin e Kuvendit të Shqipërisë dhe që opozita nuk pranon ta votojë. Ju gazetarë që keni ndjekur të gjitha seancat plenare, çdo reformë që është miratuar me votat e mazhorancës është votuar dhe ka dhënë rezultat. Heqja e vizave kishte të bënte vetëm me votat e mazhorancës. Sepse shqiptarët nuk do të përfitonin liberalizimin e vizave sot nëse ky proces do të varej nga 3/5 e votave. Pra, po të varej nga opozita siç varet statusi. Ligji i dytë është reforma zgjedhore, po pres të më thonë që të ngremë komisionin Ad Hoc për Reformën Zgjedhore, për fillimin e punës mbi 53 rekomandimet e OSBE/ODIHR. Unë kam në rend të ditës Avokatin e Popullit. Po pres, por përgjigje nuk ka. Unë kam në rend të ditës ligjin për heqjen e imunitetit, nuk kalon me 71 vota, pavarësisht se deputetët e mazhorancës kanë bërë deklaratë me modelin gjerman për të mos i njohur vetes imunitet. Por Komisioni i Venecias  kërkon 84 vota, opozita nuk përgjigjet, opozita nuk voton. Ka ligje të tjera me 3/5, por as dje, opozita nuk votoi ligjin për gjykatën administrative. Po me kodin Rrugor çfarë kanë? Ky është një problem që e kemi ne shqiptarët, por ne jemi këtu se ka pasur një strategji për të arritur këtu dhe unë mendoj se ia ka dalë, bojkoti ia ka arritur qëllimit, la Shqipërinë pa status


Zonja Topalli, Kreu i Shtetit dje deklaroi që krerët e ekzekutivit dhe të legjislativit të cilët përmendet në raport duhet të jenë më të kujdesshëm dhe ta bëjnë më mirë punën e tyre, keni ndonjë koment mbi këtë?


Natyrisht kam lexuar raportin dhe në mënyrë shumë të veçantë për çështjet e drejtësisë dhe gjyqësorin dhe për korrupsionin e madh që ka aty brenda. Përsa i takon arsyes, për të cilën nuk është marrë statusi i vendit kandidat, bojkoti dhe bllokimi, unë i kam parë gjithmonë bashkë, zotin Topi dhe zotin Rama gjatë gjithë këtyre viteve.


Zonja Topalli, a ka të bëjë kjo dhe me celulën anti-evropiane për të cilën ju keni folur?


Sigurisht që po.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›