Basha vijon takimet më qytetarët

Kryebashkiaku Lulzim Basha priti në takimin e së premtes dhjetëra qytetarë dhe dëgjoi nga afër shqetësimet e kërkesat e tyre. Përgjatë këtyre takimeve të pranishëm ishin edhe nëpunës të administratës së Bashkisë, të cilët mbajnë shënim problematikën e shtruar nga qytetarët. Specialistët e Bashkisë thonë se shqetësimet e tyre kanë të bëjnë kryesisht me strehimin, punësimin, asistencën sociale, të drejtat e pronësisë, etj. Pas parashtrimit të shqetësimeve nga ana e qytetarëve, punonjësit e Bashkisë plotësojnë një formular me të dhënat dhe kërkesat e shtruara nga qytetarët. Pasi dëgjohet secili qytetar më vete, Bashkia e Tiranës merr masa konkrete për ndjekjen dhe trajtimin e problemeve të tyre. Për evidentimin e problemeve të raportuara nga kryeqytetasit punojnë një grup specialistësh, të cilët merren me trajtimin e tyre. Ky dokumentacion shërben për ndjekjen e problematikës që ata kanë dhe kontaktimin e tyre të mëtejshëm. Takimet e kryebashkiakut Basha me qytetarët vazhdojnë sipas një kalendari dhe një procedure të caktuar, e cila përcakton se, çdo qytetar i interesuar duhet të plotësojë një formular pranë zyrës së Informimit Qytetar në Bashki, ku caktohet edhe data e takimit me Kryetarin e Bashkisë. Që nga muaji gusht, Bashkia e Tiranës, nisur nga fluksi i madh i kërkesave të qytetarëve për të takuar kryebashkiakun Basha, shtoi ditët e takimit, deri në tre herë në javë.
...