E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Nuk japim votat për ligjet me 3/5 pa i ripunuar dhe njëherë me PD-në

SHKRUAN: Fejzi Braushi 20-09-2011 11:13

Ajo që Partia Socialiste kishte paralajmëruar që më parë është zyrtarizuar dje nga kreu socialist Edi Rama, i cili para grupit të tij parlamentar ka bërë të ditur vendimin për të mos votuar asnjë nismë ligjore që kërkon 3/5 e votave në Kuvend. Jo vetëm kaq, por ai ka shkuar edhe më tej kur i ka bërë thirrje mazhorancës që t’i tërheqë këto nisma nga Kuvendi, duke krijuar kështu mundësinë për të hartuar së bashku një platformë të plotë kombëtare pune, ku të përfshihen reformat e thella të integruara në fushat kryesore. Gjithashtu ai ka kërkuar edhe një herë konsensusin e shumicës qeverisëse për reformën parlamentare, e cila sipas tij duhet të kalojë në dy faza që tashmë janë bërë publike.

Mbledhja

Rama ka shfrytëzuar këtë mbledhje për të bërë të ditur, jo vetëm për kundërshtarin politik, por edhe për opinionin e gjerë, vendimin për të mos miratuar asnjë nismë ligjore që kërkon 3/5 e votave në Kuvend. “Në ditët në vijim, do të shpallim publikisht vizionin tonë për qasjen ndaj ligjeve që duan 3/5-at e votave të Kuvendit, ku përsëris se ne s’do ta ngremë kartonin jeshil për arnat që zonja Jozefinë fut në çdo rend dite, po jemi gati të punojmë me palën tjetër për një vizion kombëtar e europian të ndërtimit të shtetit modern shqiptar, që, sipas nesh, do të thotë tërheqja e plotë e të gjitha drafteve ‘roma për toma’ të paraqitura në Kuvend për t’i hedhur hi syve Brukselit dhe hapja e disa kantiereve për reforma të mëdha, të thella, të integruara në një vizion të përbashkët e bashkëkohor”, - tha Rama lidhur me gjithë debatin nëse PS-ja do të votojë në Kuvend për projektligjet e futura në program dhe kalendar, që kërkojnë shumicë të cilësuar votash. Lidhur me këtë çështje, burime nga PS-ja kanë bërë të ditur se ajo që synon kjo forcë politike është që nismat e depozituara prej vitesh në Kuvend të tërhiqen dhe të riformulohen edhe një herë. Gjithashtu në këtë kuadër, Rama ka folur edhe për çështjen e reformës parlamentare, e cila për selinë rozë përbën një prioritet në veprimtarinë e saj. Ndaj Rama e ka konsideruar si çelësin e rivendosjes së bashkëjetesës mes palëve në Kuvend, si dhe një detyrim që del nga nevojat e shprehura nga zyrtarët e lartë europianë. “Depozitimi këtë javë në Kuvend i nismës sonë për rinormalizimin e kuadrit të bashkëjetesës mes palëve në sallën e Kuvendit përmes ndryshimeve të domosdoshme në rregullat e procedurës parlamentare, duhet pasuar pa humbur kohë me një hap të dytë për një reformë të thellë institucionale të Parlamentit, bazuar në diagnozën objektive të Raportit të Progresit”, - tha Rama. Për këtë qëllim, Rama, duke vlerësuar rëndësinë e kësaj reforme, ka kërkuar në të njëjtën kohë nga mazhoranca të shprehë qartë qëndrimin nëse është pro apo kundra një reforme të tillë. “Mbetet me rëndësi reagimi i palës tjetër, natyrisht dhe kundërshtia e ngutur e spikeres pas publikimit të nismës sonë, pa e marrë atë ende as zyrtarisht, fatkeqësisht nuk lë vend për optimizëm në përmbushjen e këtij prioriteti themelor të jetës institucionale të vendit. Ashtu siç tregon se zonja Jozefinë mbetet një pengesë e madhe në këtë drejtim, tamam siç përshkruhet në Raportin e Progresit roli i saj destruktiv në drejtimin e Kuvendit”, - u shpreh Rama.

Nismat

Kreu socialist ka bërë më tej të ditura dhe një sërë veprimesh të tjera që grupi parlamentar socialist do të konkretizojë ditët në vijim, ku më e rëndësishme përveç shtresave që prek mbetet ajo për të hequr TVSH mbi produktet e shportës bazë të familjeve shqiptare, si buka, qumështit, vezëve, apo edhe ilaçeve. Një tjetër çështje që Rama i ka kushtuar vëmendje të veçantë ka qenë edhe ajo që ka të bëjë me projektligjin për mbetjet e ngurta, i cili siç ka paralajmëruar ai pritet të bëhet objekt i një debati të fortë në sallën e Kuvendit, ku pritet të shkojë për miratim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›