Topalli: Sesionin e dytë, opozita të jetë në Kuvend për të kontribuar në liberalizimin e vizave

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, vlerëson punën e parlamentit në vetëm 100 ditë, ku janë miratuar më shumë se 70 ligje të rëndësishme për vendin. Përmes një analize të përgjithshme, Topalli gjeti rastin t’i apelojë dhe opozitës që të rikthehet në parlament gjatë sesionit të dytë të legjislaturës së XVIII, pasi Shqipërinë e presin sfida madhore siç është liberalizimi i vizave dhe marrja e statusit kandidat në BE. Kryeparlamentarja, Jozefina Topalli gjatë një konference për shtyp të zhvilluar sot në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, ka bërë analizën vjetore të punës së Kuvendit të Shqipërisë. Topalli deklaroi se sfida kryesore e Kuvendit vazhdon të jetë lufta pa tolerancë ndaj krimit dhe mafies. “Një numër marrëveshjes me vendet fqinje në kuadër të kësaj lufte janë miratuar në këtë parlament. Kuvendi ndihet krenar për miratimin e ligjit antimafia”, theksoi Topalli. Ajo vuri në dukje se Kuvendi ka rolin themelor për arritjen e lëvizjes së lirë të shqiptarëve. Kryetarja e Kuvendit i bëri edhe një herë thirrje opozitës të marrë pjesë në reforma dhe sfida historike për vendin duke qenë prezent në Parlament. “Ftoj deputetët opozitarë të jenë prezent në sesionin e dytë ku do të bëhet e mundur lëvizja pa viza. Ftoj Ramën që mos pengojë deputetët të hyjnë në Kuvend”, theksoi ajo. Lidhur me letrën që kryebashkiaku Rama i ka drejtuar Kuvendit për propozimet e fundit të qeverisë në ligjin për Inspektoriatin e Ndërtimit që sipas tij kanë papajtueshmëri ligjore dhe kushtetuese, Topalli tha se këtë ligj, opozita duhet të vijë ta diskutojë në Kuvend. “Opozita të vijë në Kuvend që të diskutojë këtë ligj që e ka me merak Rama. Ajo që ka ndodh me pallatin në Gjirokastër nuk mund të ndodhë më”, theksoi ajo. Kryeparlamentarja vlerësoi në fjalën e saj se asnjë vendim nuk do ishte marrë në Kuvend pa kontributin e komisoneve të përhershme të parlamentit.Analiza e plotë e Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli:“Kuvendi 70 ligje dhe reforma në 100 ditë” “Dje, Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi seancën e fundit plenare të sesionit të parë të Legjislaturës XVIII. Ky Sesion filloi më 7 shtator 2009, pas përfundimit të zgjedhjeve të 28 qershorit, të njohura dhe çertifikuara juridikisht me konsensusin e plotë të institucioneve zgjedhore dhe të vlerësuara si më të mirat e zhvilluara nga të gjithë monitoruesit ndërkombëtarë dhe ata vendas. Më 16 shtator 2009 Kuvendi votoi programin dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave duke nisur sfidën madhore të realizimit të premtimeve të saj. Në këtë sesion të parë, në 17 seanca plenare, në mbi 47 orë diskutime parlamentare, Kuvendi me përgjegjësinë e institucionit përfaqësues të qytetarëve shqiptarë, përmbushi rolin e tij kushtetues duke vazhduar më tej reformat e rëndësishme të vendit, të ndërmarra me synim prosperitetin të vendit dhe të çdo qytetari pa dallim. Gjithë aktiviteti parlamentar qe i hapur për median dhe publikun në një transparencë të plotë. Në këtë sesion u miratuan 70 ligje dhe 20 vendime nga 44 ligje dhe 15 vendime në legjislaturën e mëparshme, ose rreth 70% më shumë se në legjislaturën e kaluar, për të njëjtën periudhë. 70 ligje të miratuara në 100 ditë, janë një numër i konsiderueshëm. Janë ligje reformash. Jam e kënaqur që një numër kaq i madh ligjesh e reformash kanë marrë në shumicën e rasteve 73-74 vota, si asnjëherë më parë, duke dëshmuar kështu sa solide është mazhoranca parlamentare. Kjo arritje legjislative nuk do të kishte qenë e mundur pa kontributin e të gjithë komisioneve të përhershme të Kuvendit. Në 169 mbledhje, në më shumë se 210 orë, këto komisione shqyrtuan nismat ligjore, organizuan 40 seanca dëgjimore me më shumë se 47 grupe interesi, institucione publike apo jo publike. Ushtruan kontroll parlamentar në disa raste si dhe nxitën institucionet shtetërore për të ecur me tempin e kërkuar të reformave. çështjet më sensibël të integrimit të vendit, levizjes së lirë, përmbushjes së detyrimeve të vendit drejt anëtarësimit në BE ishin objektivi themelor i çdo deputeti, anëtar i komisionit. Progres Raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë ishte udhërrëfyes në punën e çdo komisioni të Kuvendit të Shqipërisë. Ky sesion kishte një axhendë më shumë se intensive. Por, unë nuk mund të rri pa shprehur keqardhjen që për shkak të mungesës së opozitës, munguan propozime, sugjerime të këndvështrimit opozitar. Së bashku me rolin legjislativ, ushtrimi i pushtetit të buxhetimit është ndër detyrat bazike të Parlamentit. Ne kemi shqyrtuar, diskutuar e miratuar Buxhetin e Shtetit 2010, ligjin themelor ku projektohet zhvillimi ekonomik, social i Shqipërisë. Ligjet mbi paketën fiskale, ligjet për “Rregjistrimin e përgjithshëm të popullsisë dhe të banesave”, “Rregjistrimin e përgjithshëm të njësive ekonomike jobujqësore dhe atyre bujqësore”, profesionet e rregulluara ne Republikën e Shqipërisë, mishërojnë reforma të rëndësishme. Fytyra njerëzore e qeverisjes lexohet në miratimin e ligjeve “Për ndihmën shtetërore”. Për ligjin “Për përcaktimin e moshës së daljes në pension të punonjësve të nëntokës”, faljen e kamatvonesave në pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore përveç rritjes së rrogave, pensioneve dhe asistencave të projektuara në ligjin e buxhetit. Kuvendi miratoi ligje të tilla si “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive” ligji “Për fondet e pensionit vullnetar”, etj, të cilat synojnë thellimin e thithjes së investimeve dhe konsolidimin e klimës miqësore ndaj biznesit. Si vend anëtar i NATO-s, në përmbushje të detyrimeve të një partneri serioz në këtë aleancë, Kuvendi ka miratuar akte normative “Për dërgimin në Afganistan të një kompanie shtesë, të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë” dhe të një ekipi mjekësor në Kabul. Sfida e Kuvendit vazhdon të jetë lufta pa tolerancë kundër krimit e mafias me qëllim për të kthyer vendin tonë një vend të sigurtë e të shtetit ligjor, të ngjashëm të vendet me të zhvilluara të kontinentit. Një numër i madh marrëveshjesh me vendet fqinje, dhe jo vetëm, për sigurimin e kufinjve dhe bashkëpunimin në luftën kundër krimit janë miratuar në këtë sesion parlamentar duke kontribuar në përmbushjen e detyrimeve të procesit të liberalizimit të vizave. Kuvendi ka rolin e parë për arritjen e levizjes së lirë. Ky Kuvend miratoi ligjin “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masava parandaluese kundër pasurisë” ose i njohur ndryshe Ligji Antimafia; Ky Kuvend miratoi ligjin “Për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë: Ky Kuvend miratoi ligjin “Për marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjet penale”, reforma të gjitha që shënojnë arritje mjaft të rëndësishme në këtë drejtim, dhe te vlerësuara maksimalisht nga miqtë dhe partnerët e Shqipërisë. Ne po mbyllim një vit të mbarë për shqiptarët. 2009 është viti i NATO-s për vendin tonë. 2009 është viti i përballjes me sukses në termat e rritjes ekonomike, kur bota u zhyt në krizë. 2009 është viti kur ne aplikuam për në BE. 2009 është viti kur BE e miratoi kërkesën, duke riçertifikuar zgjedhjet e lira e të ndershme të 28 Qershorit. 2009 është viti në të cilin na u dorëzua pyetësori dhe Kuvendi si të gjitha institucionet e ka filluar tashmë punën për përgjigjet. 2009 që po mbyllet ishte viti i një axhende sfiduese me veten dhe të ardhmen. Kuvendi në të gjitha këto arritje ka rolin themelor, parësor. Axhenda e Kuvendit në këtë sesion ishte edhe më intensive se kurrë më parë. Deputetët që punuan gjatë këtij sesioni kanë marrë përgjegjësi për të bërë axhendën e suksesshme. Dhe ia kanë dalë në çdo rast, e në çdo gjë që varej prej tyre. E për këtë meritojnë një mirënjohje të veçantë. Gjatë këtij sesioni axhenda e diplomacisë parlamentare njohu vizita, takime dhe kontakte të suksesshme. Vizituan Shqipërinë Kryetari e Senatit të Kanadase, Kryetarja e Parlamentit të Islandës, nënkryetari i Parlamentit Spanjoll. Drejtues të Kuvendit kryen vizita zyrtare mjaft të suksesshme në Itali dhe në vende të tjera. U organizuan konferenca Rajonale me deputetë të Rajonit dhe BE me temë “Forcimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë”. Pjesëmarrja e delegacioneve parlamentare në Asamblenë e OSBE-së, në Asamblenë e NATO-s, në Asamblenë e COE, në IPU, etj, është pjesë e rëndësishme dimensionit tjetër parlamentar dhe kontributit të Kuvendit të Shqipërisë ne marrëdhëniet me Asambletë e mëdha ndërkombëtare. Në këtë sesion janë zhvilluar shumë vizita zyrtare e multilaterale Kanë vizituar Shqipërinë 18 delegacione parlamentare nga mbarë bota. Mes këtyre delegacioneve do të veçoja ato të Parlamenteve te çekisë, Kinës, Koresë së Jugut, Spanjës, Italisë, Francës , Austrisë, Gjermanisë, Rajonit, Greqisë, etj. Kuvendi ka marrë pjesë në Konferenca të ndryshme ndërkombëtare. Probleme sociale, shëndetsore shqetësuese u përfshinë në axhendën e aktiviteteve tona. Në këtë sesion Kuvendi ka zhvilluar seancë të posaçme për luftën kundër kancerit. Në këtë sesion Kuvendi ka zhvilluar një seancë për luftën kundër dhunës në familje. Në këtë sesion Kuvendi ka zhvilluar seancë për të drejtat e fëmijëve, me rastin e 20 vjetorit të kartës të së drejtave të fëmijëve. Për herë të parë në këtë godinë u zhvillua, konferenca me Sekretarët e Përgjithshëm të Rajonit e më tej, me temë “Teknologjinë e informacionit”, si instrument transparence në Parlament. Për të gjitha këto, dëshiroj të falenderoj të gjithë deputetët për seriozitetin e treguar, për përkushtimin e profesionalizmin në punën e bërë gjatë kësaj periudhe. Si Kryetare e Kuvendit, por edhe si deputete prej shumë legjislaturash, shpreh keqardhjen e thellë, që opozita mungoi në këtë sesion kaq të rëndësishëm. Thirrja ime e vazhdueshme për ta është që të mos humbin kohë të çmuar dhe shansin historik të pjesëmarrjes në reformat, ngjarjet dhe sfidat historike që po kalon vendi dhe kombi ynë, për të mos vazhduar të humbin edhe më tej sfidat e mëdha që na presin në sesionin e dytë me rrëzimin e murit të fundit të shqiptarëve. Unë ftoj Kryetarin e Partise Socialiste të mos i pengojë më deputetët për të ushtruar detyrën e rëndësishme të opozitës. Ata shqiptarë që kanë votuar Partinë Socialiste duan të dëgjojnë në Parlament këndvështrimin e tyre, ashtu siç duan të biem dakord e të miratojmë çdo reformë që i duhet këtij vendi dhe secilit prej tyre. Unë e njoh rolin e rëndësishëm të opozitës, të drejtat dhe përgjegjësitë e saj. Ndaj dhe i bëj apel z. Rama të lejojë deputetët të ushtrojnë mandatin e tyre në Kuvendin e Shqipërisë. Në sesionin e janarit, Kuvendi ka një kalendar pune dhe një axhendë mjaft të rëndësishme. Si Kryetare e Kuvendit, garantoj opozitën se në këtë tempull të demokracisë, çdo deputet ka dhe do të ketë të gjithë hapësirën për të kryer me devotshmëri misionin e tij. Shpresoj që në Vitin e Ri ato do zënë vendet e tyre në Parlament. Gëzuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri të gjithëve!”....