Topalli: “Shqipëria dhe Polonia falë reformave, dy vende që nuk kanë kaluar në recension”
Kryetarja e Kuvendit takon ambasadorin e ri të Polonisë, Marek Jeziorski
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, u takua të martën me ambasadorin e ri të Polonisë, Marek Jeziorski, i cili vjen në Shqipëri në misionin e dytë si kryediplomat, pasi ka shërbyer më parë në vitin 1984. Duke vlerësuar zhvillimin dinamik të vendit, ai tha se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO ishte një ngjarje shumë e rëndësishme që ndryshoi karakterin e marrëdhënieve të saj, jo vetëm me Poloninë, por dhe me vendet e tjera. Kryetarja e Kuvendit tha se marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve morën një dimension të ri me hyrjen e Shqipërisë në NATO. "Polonia është një vend shumë i veçantë përsa i përket historisë, kulturës dhe besimit në një sistem vlerash. Shqipëria dhe Polonia janë vende që pavarësisht krizës ekonomike në botë, nuk kanë kaluar në recension dhe kjo për shkak të reformave", theksoi Topalli, ndërsa nënvizoi domosdoshmërinë e forcimit të bashkëpunimit ekonomik. Ambasadori Jeziorski tha se Shqipëria ka dhe do të ketë vendin e saj të merituar në familjen europiane. "Shqipëria ka një bashkëjetesë të vyer fetare, ka një politikë të jashtme konstruktive dhe është faktor stabiliteti", nënvizoi ai. Kryediplomati polak, pasi e uroi kryetaren Topalli për rekomandimin për statusin e vendit kandidat, uroi që dhe kushtet e vëna të plotësohen sa më shpejt në mënyrë që të progresohet drejt anëtarësimit. Nga ana e saj kryetarja e Kuvendit tha se presim që tre ligjet e integrimit të votohen sa më parë nga opozita. "Unë e shoh me optimizëm këtë, sepse integrimi në BE është jo vetëm prioritar, por edhe një imperativ për politikën shqiptare", vuri në dukje ajo. Duke u ndalur në prioritetet e detyrës së tij të re në Shqipëri, ambasadori Jeziorski tha se "misioni im është që të bëj gjithçka për të forcuar marrëdhëniet politike, parlamentare, ekonomike, kulturore e turistike mes dy vendeve tona".
...