E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Socialistët i urrejnë pronarët

14-09-2012 / Gazeta 55

Kuvendi miraton aktin normativ për lirimin e banesave të ish pronarëve

Kuvendi miratoi dje me 67 vota “pro” dhe 4 abstenim aktin normativ për lirimin e banesave të ish-pronarëve. Opozita nuk mori pjesë në votim, ndërsa 4 deputetët e LSI-së të pranishëm në sallë, abstenuan.
Shqyrtimi i këtij akti u shoqërua me debate në Kuvend mes kryeparlamentares Jozefina Topalli dhe deputetit socialist Sajmir Tahiri. Kryeparlamentarja Topalli akuzoi socialistët se i urrejnë pronarët, ndërsa deputeti Tahiri theksoi se nga ky ligj përfitojnë, ministra e deputetë të PD-së. Deputeti socialist akuzoi qeverinë se ka keqësuar konfliktin e pronave ndërsa shtoi se akti normativ nuk i jep zgjidhje pronarëve por edhe qiramarrësve.
“Akti normativ që vjen sot vjen pas dy nismave të qeverisë, të këtij kryeministri, të dyja janë hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese, se nuk i japin zgjidhje pronarëve dhe qiramarrëses. A e dini sa problem ka me pronat. Janë vrarë 8 mijë 100 qytetarë në mbarë vendin. Më shumë se 1 qytetar në ditë. Koston e mban klasa politike. Ju thoni le të vriten”, shtoi ai.
Deputeti i PS-së, Sajmir Tahiri kërkoi më herët që tu vihej në dispozicion të gjithë deputetëve rekomandimi i Avokatit të Popullit për aktin normativ për lirimin e banesave të ish-pronarëve. Tahiri tha se Avokati i Popullit e ka cilësuar aktin si të papajtueshëm më Kushtetutën, dhe se zbatimi i tij do të ketë pasoja.
Ndërsa nga ana e saj, Kryetarja e Kuvendit, Topalli u përgjigj duke thënë se, “në Parlament nuk është Avokati i Popullit që shikon përshtatshmërinë e ligjeve me Kushtetutën, por komisioni përkatës”.

Akti normativ
Akti parashikon lirimin dhe dorëzimin e banesës nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara, emrat e të cilëve janë dërguar nga Enti Kombëtar i Banesave në Bankën Kombëtare Tregtare, në vijim referuar BKT, për kreditim, në kushtet deri 30 vjet afat, me 0 (zero) për qind interes vjetor, sipas programit social të trajtimit me kredi të lehtësuar nga shteti, në zbatim të udhëzimit nr. 6257,datë 2.9.2008, “Mbi përcaktimin e masës së subvencionit për familjet që përfitojnë kredi të lehtësuara nga shteti”, të ministrit të Financave dhe ministrit të Punëve Publike dhe Transportit,  të ndryshuar, apo që duhet të aplikonin për këtë projekt strehimi,  brenda datës 1 nëntor 2012. Sipas këtij akti, për çdo qytetar të pastrehë, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara, që nuk liron banesat, ndonëse janë në listat e dërguara nga Enti Kombëtar i Banesave në bankën BKT-së për kreditim, në kushtet deri 30 vjet me 0 (zero) për qind interes vjetor, pas ekzekutimit të titulli ekzekutiv.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›