Mazhoranca rrëzon në parim propozimet e PS, shqyrtohen në Parlament

Mazhoranca ka rrëzuar në parim propozimet e PS për ndryshimet kushtetuese për sa i përket paketës së propozuar nga Partia Socialiste për emërimet në Gjykatën Kushtetuese, atë të lartë, në Këshillin e Drejtësisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm. Me shumicë mazhoritare dhe votat kundër të PS, propozimet do të kalojnë për shqyrtim në seancën parlamentare, bazuar kjo në rregulloren dhe dispozitat ligjore. Seanca dëgjimore e më pas debati mes anëtarëve të Këshillit ka zgjatur më shumë se 9 orë në Kuvend. Ndërkaq konstitucionalistët më në zë në vend i kanë kërkuar klasës politike që të marrë kohën e nevojshme për të bërë ndryshimet kushtetuese për sa i përket paketës së propozuar nga Partia Socialiste për emërimet në Gjykatën Kushtetuese, atë të lartë, në Këshillin e Drejtësisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm. Ndërsa nuk e konsiderojnë domosdoshmërisht votimin me shumicë të cilësuar në Parlament, konstitucionalistët këmbëngulin që në këto poste të vihen personalitete me integritet.Por përpara se të merrnin fjalën ekspertët më të mirë të së drejtës kushtetuese, grupet e interesit kanë dhënë mendimin e tyre për këto propozime. Sipas nënkryetarit të KLD-së votimi me tre të pestat e anëtarëve të këtij insititucioni do të bllokonte punën e KLD-së, ndërsa për gjykatën e lartë votimi i këtyre gjyqtarëve me tre të pestat është i mirëpritur, por propozimi që vjen nga Partia Socialiste është kontradiktor. Ndërsa Avokati i Popullit dhe Prokuroria e Përgjithshme nuk ka preferuar të japë mendim për këto propozime, nga ana tjetër gjykata kushtetuese përmes një njoftimi zyrtar shprehet se nuk do ti bashkohet këtij diskutimi, duke qëndruar larg debatit politik. E megjithëse perfaqësuesi i Euralius dhe OSBE deklaroi se pavarësia e insititucioneve nuk garantohet, ata thanë se duhet ende kohë për tu parë me vëmendje këto ndryshime.Në fund të seancës dëgjimore debati në Këshillin e Legjislacionit ka marrë karakter politik. Mazhoranca kërkoi që të votohet në parim rrëzimi i këtyre propozimeve, pasi sipas relatores Paulina Hoti këto propozime janë të pabazuara në argumente ligjore. Nga ana tjetër opozita ka kërkuar kohë për tu zbardhur gjithë diskutimi në seance, e më pas të dilet në konkluzionet përkatëse.