Ina Rama, "hetim" 300 punonjësve të administratës
Prokuroria shqiptare do t‘i nënshtrohet një tjetër reforme që do të prekë rreth 300 punonjës të saj. Me lëvizjen e dhjetëra prokurorëve, ku prokuroritë e rretheve ndryshuan drejtuesit, si dhe oficerëve të policisë gjyqësore, që kaluan në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, puna e organit qendror të akuzës po përqendrohet në reformimin e punonjësve të administratës. Çdo prokurori e rretheve, që në total ka një staf prej 30-40 për qind administratë, do të verifikohet nga Drejtoria e Inspektimit dhe Burimeve Njerëzore pranë Prokurorisë së Përgjithshme dhe më pas, në varësi të rezultateve të verifikimit, do t‘i propozohet titullarit të institucionit shkurtimi ose shtimi i punonjësve të administratës. Lajmi bëhet i ditur nga burime konfidenciale pranë akuzës qendrore, sipas të cilave reformimi ka filluar vetëm në letër, ku janë nxjerrë vetëm të dhënat e para. Në total, në të gjitha prokuroritë në Shqipëri, numri i administratës është rreth 300 persona, ku numri më i madh i punonjësve regjistrohet në Prokurorinë e Tiranës, pasi prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore janë të shumtë. Në prokurorinë më të madhe në vend, pra në kryeqytet, shënohen rreth 50 punonjës të administratës, të cilët përbëjnë 1/3 e gjithë stafit. Këtu llogariten nga shoferi i drejtuesit të prokurorisë, duke vazhduar me sekretaret, përgjegjësit e administratës, llogaritarët, arkëtarët, teknikët mirëmbajtës dhe deri te punonjësit e shërbimit për ta mbyllur me pastrueset. Pra, të gjithë do t‘i nënshtrohen një verifikimi në lidhje me mënyrën e marrjes në punë, nëse kanë ose jo precedentë penalë, nëse kanë marrë ose jo paralajmërime për heqje nga puna. Burimet nga akuza qendrore thanë dje se lëvizjet në administratën e prokurorisë parashikohen në Kushtetutë, ku Prokurori i Përgjithshëm, krahas detyrave të propozimit për numrin e përgjithshëm të prokurorëve, transferimin e tyre, miratimit të strukturës, ka për detyrë emërimin dhe shkarkimin e punonjësve të administratës në strukturat e zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm. Në këtë zyrë, duke përfshirë edhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda, numërohen rreth 50 punonjës të administratës. Pjesa më e madhe e tyre është marrë në punë në kohën kur titullar i akuzës qendrore ishte Theodhori Sollaku. Gjithsesi, burimet nga akuza qendrore thanë se verifikimi do të bëhet sipas ligjeve për prokurorinë dhe Kodit të Punës dhe jo në bazë të "preferencave njerëzore dhe politike". Në ligjin për Prokurorinë e Përgjithshme thuhet se "punonjësit e administratës për pranimin, transferimin, lëvizjen paralele, ngritjen ose shkarkimin në detyrë u nënshtrohen kritereve dhe procedurave të parashikuara në ligjin nr.8549, datë 11.11.1999, ‘Statusi i nëpunësit civil‘. Marrëdhëniet e punës së punonjësve të personelit administrativo-teknik rregullohen sipas dispozitave të Kodit të Punës".
Prokuroritë e rretheve (totali 221)
Shkodër 13
Tropojë 5
Pukë 3
Kukës 7
Mat 5
Lezhë 6
Dibër 6
Kurbin 5
Tiranë 49
Krujë 6
Durrës 16
Kavajë 8
Elbasan 14
Pogradec 5
Lushnjë 7
Fier 12
Vlorë 15
Berat 8
Korçë 16
Gjirokastër 10
Sarandë 5
Prokuroritë e Apelit (totali 18)
Durrës 4
Gjirokastër 2
Korçë 3
Shkodër 2
Tiranë 5
Vlorë 2
Prokuroria e Përgjithshme dhe Krimet e Rënda
50 punonjës të administratës
Prokuroritë e rretheve (totali 221)
Shkodër 13
Tropojë 5
Pukë 3
Kukës 7
Mat 5
Lezhë 6
Dibër 6
Kurbin 5
Tiranë 49
Krujë 6
Durrës 16
Kavajë 8
Elbasan 14
Pogradec 5
Lushnjë 7
Fier 12
Vlorë 15
Berat 8
Korçë 16
Gjirokastër 10
Sarandë 5
Prokuroritë e Apelit (totali 18)
Durrës 4
Gjirokastër 2
Korçë 3
Shkodër 2
Tiranë 5
Vlorë 2
Prokuroria e Përgjithshme dhe Krimet e Rënda
50 punonjës të administratës