E Shtunë, 31 Tetor 2026

Po lufta, pse u bë lufta?!

17-12-2011 / Nga Qemal Sakajeva

Pas “Jo-së” ndaj Serbisë, për statusin e vendit kandidat, mes dy politikave vepron një diplomaci disi e tendosur, që presidenti serb e cilësoi me fjalën “betejë”: Beogradi  përsërit “kurrë nuk do të njohim  Kosovën”, Brukseli përgjigjet “normalizoni marrëdhëniet me Kosovën”. Nëse politikës serbe i këqyret palca e përmbajtjes në këtë përballje, asaj lehtësisht i shquhet një kor dukurish të përziera.
Ajo bën edhe naiven - e s’është aspak e tillë.
Ajo sforcohet të shpallet europerëndimore - dhe vijueshëm shpërthen mutacion rus.
Ajo bën megalomanen - por sillet edhe me plot arrogancë. Ajo shtiret viktimë e historisë - ndërsa mbetet agresore historike e papenduar dhe e pandjesë.
Të dy palët, edhe Beogradi, edhe  Brukseli, politikat ndërmjet tyre i ndërtojnë duke i  vështruar nacionalistët serbë, m’u në bebe të syrit. Bashkimi Europian tregon vëmendje të posaçme që, kushtet e trysnitë ndaj Serbisë, të jenë aq të peshuara sa, ato të mos kapërcejnë në favor të radikalëve. Beogradi zyrtar fjalitë e deklaratave për Bashkimin Europian i ndërton me dy gjymtyrë - gjysma t’i shkojë Brukselit, gjysma t’u përcillet nacionalistëve. S’ka kohë më të qartë se sa tani, për ta shquar këtë shartim të panatyrshëm.
Presidenti Boris Tadiç tha botërisht për mediat se, “Në momentet e fundit të negociatave për kandidaturën e BE, ka dalë kërkesa që Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës”, gjë që zëdhënësja e Brukselit e përgënjeshtroi. Ndërsa zëvendëskryeministri  dhe ministër i brendshëm Ivica Daçiç, me profil të lartë qysh në kohën e Millosheviçit, i kujtoi  ndërkombëtarët që, Milosheviçin e patën dorëzuar në vitin 2000 si kusht i dhënë për të mos u kërkuar kjo njohje. Por, ky arsyetim tingëllon, paksa, edhe politikë naive - edhe pse në Beograd nuk ka politikanë të tillë. Për t’ia hequr maskën “naivitetit” të shtirur, domethënë se një politikë që qenka mashtruar nga tradhtia (!), mjaftojnë ca pyetje: Po lufta, pse u bë lufta?! Të dorëzohej Milosheviçi  për të mosdorëzuar Kosovën? Shqiptarët hynë në një luftë për jetë a vdekje që të mbeteshin në Serbi? Serbia e bëri luftën e katërt për të ikur nga Kosova? NATO e goditi Serbinë që të largonte Millosheviçin dhe t’ia kthente Kosovën Serbisë?
Lufta e Kosovës pati si maksimale ndaj vetvetes – çlirimin dhe kompromis me aleatët euro-atlantikë - pavarësinë.
Pas “Jo-së” për statusin, presidenti  Boris Tadiç artikuloi me sforco, duke thënë se Bashkimi Europian mbetet orientimi i Serbisë. Por, është ai që, më shumë se çdokush tjetër, i pasuar nga ministri i jashtëm Vuk Jeremiç, shpall vetëm “kurrë nuk do të njohim pavarësinë e Kosovën”. E gjithë beteja Beograd - Bruksel shtrihet ndërmjet dy fjalëve, “mosnjohje” serbe dhe “normalizim” europian. Por, kjo, është edhe një luftë diplomatike përqasjesh - sepse, nga mosnjohja, Serbia ka shkuar te bisedimet, edhe pse si karroca nëpër kalldrëm, duke nënshkruar disa marrëveshje e nën trysni, thirrje e pritje për t’i zbatuar. Brukseli nuk e cyt Serbinë t’i kërkojë njohje, por i thotë normalizo marrëdhëniet  me Kosovën që, po të shpjegohet me tjetër fjalë, do të thotë: Prano realitetin! Në hapësirën ballkanike nuk ka më koloni serbe, por është shteti fqinj i Kosovës, i njohur botërisht. Ndërsa SHBA janë shprehur drejtpërdrejtë: ato i kanë bërë thirrje Serbisë të njohë shtetin e Kosovës. BE u ka bërë thirrje pesë vendeve - Spanjës, Greqisë, Rumanisë, Sllovakisë dhe Qipros, t’u bashkohen 22 vendeve të tjera që e kanë njohur pavarësinë. E gjithë kjo është një luftë e bardhë për kah njohja dhe jo për kah mosnjohja.
Pas “Jo-së”, vazhdon politika megalomane: zyrtarë të lartë shqiptojnë deklarata të ashpra; udhëtojnë pafund prej te le e te perëndon për të penguar njohjen; shpërfillin një popull  fqinj sikur atje të banonte një fis i sapozbuluar; nxitin një pakicë pak mijërash për të mbajtur idenë e ndarjes; ushqejnë sjellje agresive te ta - dhe që zgjat nga fuqia e dobësisë së pakicës, misionit paqeruajtës të durueshëm të KFOR-it dhe besimit e maturisë shqiptare se zgjidhja do të gjendet në rrugë demokratike. Qysh nga lufta, forcat ndërkombëtare nuk qenë goditur  e plagosur nga  serbët si pak javë më parë, nga barrikaduesit. Në sheshet e Beogradit iu vu flaka flamurit të BE-së. Mbështetja për integrimin europian ka rënë nën 50 përqind.
Por “Jo-së”, politika e Beogradit iu përgjigj edhe si viktimë. Ka botime, edhe të autorëve serbë, që e analizojnë viktimizimin si tipar të sjelljes serbe. Ivica Daçiç tha se Serbia ndjehet e tradhtuar nga ndërkombëtarët - gjithë bota kundër Serbisë thonë ata - ndërsa vërehen dy lëvizje: përgëzohet presidenti Boris Tadiç se i ka shqiptuar Brukselit që, kurrë nuk do të njihet pavarësia e Kosovës, dhe njëherësh vetëndjehen viktimë e ndërkombëtarëve. Me këso konvulsionesh nacionaliste, në skenë u ngjitën kolektivisht 20 mijë serbë të veriut që i kërkuan Moskës t’u jepte shtetësia ruse, dhe asisoj të bëheshin  pakicë-shumicë, me tri shtetësi - banorë të Kosovës, bashkëpatriotë të Serbisë, shtetas të Rusisë. Me të pushuar kjo zhurmë, me përgjigjen për një pamundësi praktike për pasaporta ruse, në kufijtë e Kosovës u shfaq një karvan i gjatë kamionësh me ndihma nga Rusia, që u priu ambasadori  i Moskës në Beograd, Aleksandër  Konuzin, njësoj sikur t’u kishte thënë: ndihma në vend të pasosh-ëve! Por ato janë provokim politik, sepse në Kosovë nuk ka situatë për ndihmë humanitare.
Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare Peter Feith foli përtej ndihmave: ai vuri në pah se strukturat paralele veprojnë në të gjithë territorin, jashtë Pakos “Ahtisaari” dhe jashtë  kornizës ligjore të Kosovës, prandaj, “Bashkimi Europian do të investojë që prezenca e policisë dhe e strukturave paralele të largohen para vendimit për dhënien e statusit të vendit kandidat”. Kancelarja gjermane Angela Merkel u ka thënë troç: ose shkatërroni pushtetin paralel, ose s’ka BE. Kjo kërkesë e prerë  i  futi  Beogradit drithërima në vapën e gushtit  dhe, kushti që quhet “normalizim i marrëdhënieve me Kosovën”, do të thotë  edhe pranim i fqinjit jugor. Sa qartë është dëgjuar kjo, e shprehu zëvendëskryeministri  Ivica Daçiç, i cili nuk belbëzoi, por u bëri kujtesë  politikanëve: “mos të gënjejmë njëri-tjetrin” dhe “mos të tregojmë përralla” për serbët lidhur me marrjen e statusit të vendit kandidat. Ka vetëm një dalje: Beogradi t’u thotë serbëve të vërtetën, ndërsa Serbia të pranojë realitetin në jug të saj.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›