E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli Vizita e Emirit te Katarit inkurajon klimen per ardhjen e investitoreve nga vendi i tij

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli u takua me Emirin e Shtetit të Katarit, Sheikut Hamad Bin Khalifa Al Thani, i cili viziton për herë të parë Shqipërinë.

Kryetarja e Kuvendit, duke i uruar mirëseardhjen e cilësoi këtë vizitë si historike dhe si një moment të rëndësishëm në intensifikimin e marëdhënieve dypalëshe. Ardhja e Emirit të Katarit Sheikut Hamad Bin Khalifa Al Thani, në Shqipëri, është në vijim të vizitave të nivelit më të lartë që kanë kryer autoritetet zyrtare , vitet e fundit.

Emiri i Katarit Sheiku Hamad Bin Khalifa Al Thani, shprehu kënaqësinë e veçantë për vizitën në Shqipëri dhe rikonfirmoi bashkëpunimin shumë të mirë midis dy popujve dhe vendeve tanë.

Duke shprehur mirënjohje për mbështetjen që Katari i ka dhënë Shqipërisë, kryeparlamentarja shqiptare theksoi se vizita e Emirit të Katarit inkurajon në mënyrë të ndjeshme edhe më tej, klimën për ardhjen e investitorëve nga vendi tij.Kryetarja e Kuvendit shprehu falenderimet për mikëpritjen që iu bë gjatë vizitës në Katar në vitin 2008 dhe vlerësoi zhvillimin e progresin e jashtëzakonshëm të këtij vendi, vitet e fundit.
Në fokus të bisdës mes Kryetares së Kuvendit dhe Emirit të Katarit Sheiku Hamad Bin Khalifa Al Thani, ishin mundësitë e forcimit të marëdhënieve ekonomike, duke evidentuar hapësirat, që ekzistojnë për këtë bashkëpunim me interes reciprok.

Kryetarja e Kuvendit ftoi Emirin e Katarit për të vlerësuar potencialet e jashtëzakonshme që vendi ynë ka veçanërisht për zhvillimin e turizmit malor dhe bregdetar. Kryetarja e Kuvendit theksoi se Shqipëria ka tregues pozitivë të stabilitetit makroekonomik dhe po zbaton politika të suksesshme ekonomike, ku vuri në dukje sistemin elektronik të taksave, transparencën dixhitale dhe reforma të liberalizimit të taksave. “Vendi ynë – u shpreh Kryetarja e Kuvendit edhe pse gjendet në një rajon të prekur ndjeshëm nga kriza ekonomike , vazhdon të ketë një rritje të qëndrueshme prej 4 %.

Nga ana e tij Emiri i Katarit theksoi se Shqipëria, me një pozitë të veçantë gjeografike në rrajon, ka burime të mëdha për investime të konsiderueshme.

Kryetarja e Kuvendit ftoi Emirin e Katarit të inkurajojë më tej bashkëpunimin mes dy parlamenteve, si rruga më e drejtpërdrejtë e afrimit mes popujve dhe vendeve tona.

Emiri i Katarit, Sheikut Hamad Bin Khalifa Al Thani, ftoi Kryetaren e Kuvendit për një vizitë në vendin e tij, ftesë e cila u pranua me kënaqësi të veçantë nga zonja Jozefina Topalli.

Katari është një nga vendet më të zhvilluara të Gjirit Persik , si dhe një nga prodhuesit më të mëdhenj të naftës dhe të gazësjellësave në botë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›