E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Procesi i integrimit eshte dhe do mbetet nje proces i pakthyeshem

Kryeministri Berisha inspektoi sot ecurinë e punimeve në rrugën Levan - Tepelenë, investim me vlerë 70 milion euro.

Rruga e re ka një gjatësi prej 71 kilometra dhe shkurton me 22 kilometra dhe 1 orë e 10 minuta distancën e mëparshme nga Fieri në Tepelenë.

Berisha u informua nga zbatuesit e projektit mbi fazat e projektit dhe vëllimin e punimeve, sipas të cilëve, aktualisht ka përfunduar 65 për qind e punimeve.

Më pas e inspektoi atë në të gjithë trajektoren e saj, nga Levani (Fier) deri në Memaliaj (Tepelenë).

Rruga, e projektuar sipas standardeve të infrastrukturës europiane, ka gjerësi 10.5 metra, shpejtësi të lëvizjes 80-100 km/h, do të ketë 38 ura.

Rruga është e ndarë në dy lote. Loti i parë Levan-Dames, me gjatësi 38 kilometra dhe vlerë investimi 40 milionë euro, janë përfunduar dhe asfaltuar 28 kilometra.

Loti i dytë Dames-Tepelenë, 32 kilometra dhe vlerë investimi 30 milionë euro, janë përfunduar dhe asfaltuar 16 kilometra. Kryeministri Berisha u shoqërua në këtë inspektim edhe nga media.

Pas inspektimit, duke folur për mediat, Kryeministri e konsideroi këtë “një rrugë që transformon Shqipërinë nga Tirana deri në skajin e saj më jugor" dhe me përfundimin e saj, “jugu do të arrijë tregun e Tiranës në më pak se dy orë” dhe “turistët nga Tirana dhe mbarë bota do të arrijnë në Sarandë, Gjirokastër, Tepelenë, në një kohë që 2-3 vjet më parë asnjë nga ne nuk e imagjinonte.”

“Autostrada Levan- Tepelenë është një nga autostradat më të rëndësishme të vendit, pasi me përfundimin e saj, Gjirokastra, Përmeti, Tepelena do të arrihen nga Tirana, në një hark kohor më pak se dy orë. Saranda, me përfundimin e segmentit Kardhiq-Delvinë, do të jetë edhe ajo në 2 orë e 20 minuta. Nëse do të doni të shkoni të pini një kafe në majën e Çajupit, Olimpin e Gjirokastrës, do të shkoni aty për 2 orë e 30 minuta. Pra, kjo rrugë transformon Shqipërinë nga Tirana deri në skajin e saj më jugor.

Rruga është realisht transformuese. Ajo bën që i tërë jugu i vendit të arrijë tregun e Tiranës në një kohë të paimagjinueshme, por bën që edhe turistët nga Tirana dhe mbarë bota të arrijnë në Sarandë, Gjirokastër, Tepelenë, në një kohë që 2-3 vjet më parë asnjë nga ne nuk e imagjinonte”, shtoi Berisha.

Duke përfunduar se “kjo rrugë është fatlume, sepse nuk mund të bllokohet nga politika bllokuese e kryetarit aktual të Partisë Socialiste”.

“Sepse ju garantoj që në qoftë se edhe këto do të ishin në paketën e bllokimit, shqiptarët nuk do të shihnin një rrugë të vetme me sy dhe do të mbeteshin me trashëgiminë hoxhiste, që ishte edhe trashëgimia më katastrofale në rrugë.

Por nuk ka asgjë që mund të pengojë ndërtimin e Europës në çdo skaj të këtij vendi, ndërtimin e Europës në luginën e Vjosës, në luginën e Përroit të Thatë, në luginën e Kardhiqit e kudo, në çdo fshat e çdo vend dhe procesi i integrimit është e do të mbetet një proces i parikthyeshëm”, përfundoi ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›