E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli-Volonte: Përgjegjësit e 21 janarit, para drejtësisë

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u takua sot me Kryetarin e Grupit EPP në PACE Luca Volonte. Kryetarja e Kuvendit shprehu falenderimin dhe vlerësimin për mbështetjen e vazhdueshme që ky institucion i jetës politike në Strasburg ka dhënë për proceset integruese të Shqipërisë.

Më tej Kryetarja e Kuvendit e njohu eurodeputetin për ngjarjet para, gjatë dhe pas 21 Janarit, si një tentativë e dështuar e një grupi kriminal, për të rrëzuar me dhunë institucionet legjitime dhe rendin kushtetues në Shqipëri.

“Ne prej një muaji po i kërkojmë Drejtësisë që ata që kërkojnë 13 mijë viktima, ata që organizuan dhunën ekstreme të 21 janarit, ata që përdorën grupe kriminale, ata që për 5 orë rrethuan e sulmuan nga të gjitha anët Kryeministrinë për karrigen e z.Rama, duhet të përgjigjen para drejtësisë” u shpreh Kryetarja e Kuvendit.

Eurodeputeti Luca Volonte njëherësh theksoi rëndësinë që ka angazhimi dhe vullneti serioz që duhet të ndërmarrin forcat politike, për zgjedhjet e 8 Majit. Topalli garantoi se çdo tentativë e dhunshme për rrëzimin e rendit kushtetues, do të marrë përgjigjen e merituar bazuar në Kushtetutë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›