E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli a Nano president? Çiljeta ose unë kryetar kasacioni!

Share

Nga Bledi Mane- Public Enemy

facebook.com/bledi.mane

1./Nano-nano, nani-nani

Besnik Mustafajt i kam lexuar në fundjavë një nga intervistat më brilante të dhënë. Me një gjuhë të thjeshtë, racional në maksimum dhe me këmbë në tokë më kurrë se ndonjëherë i bënte një autopsi pa lajle lule përditshmërisë sonë. Një nga ish kryediplomatët më aktivë që kemi pasur pavarësisht se “e djalloste” pakëz me oportunitetin e përgjigjeve nga fundi i intervistës, i vuri pikat edhe mbi gjendjen katastrofike ku është katandisur partia që ai themeloi.

I pyetur nga Skënder Minxhozi rreth kandidaturave presidenciale më potencialisht të përfolura sot, Fatos Nano dhe Jozefina Topalli, shkrimtari simpatik dhe politikani i ndërprerë Mustafaj jep përgjigjen e cila duhet të oshtijë fuqishëm në segmentin Tiranë-Bruksel-Washington vajtje-ardhje.

Fatos Nano i është rikthyer ëndrrës së tij të vjetër më fuqishëm se kurrë këtë fillimviti. Kunadhja e vjetër e tranzicionit shqiptar e nuhat dhe e ndjen se kësaj here luhet akti final për të. Nostalgjik për çka i bëri dhe i zhbëri këtij vendi kujton se ende i ka mbetur bosh vendi honorifik në politikën sharlatane. Politikani i shkurtër që i dha leksione liberale të mëdha jo vetëm politikbërjes, por edhe jetës sociale shqiptare, ia vlen të përmendet se respektoi dhe institucionalizoi dorëheqjen. Diti të ringrejë një falangë të kuqe komuniste dhe pavarësisht mëkateve të së shkuarës establishoi një parti me profil social demokrat evropian, por që dehja me pushtetin e gjatë deri më 2005 bëri që të vazhdojë me korrektesë korrupsionin e themeluar nga berishianët e 1996-s.

Pavarësisht se iku me duart të pista nga pushteti, duart e pastra të Berishës të ndotura rrugës e kanë kapur prej xhakete dhe po e tërheqin zotin Nano zvarrë me shpresën se deri në korrik do u duhet për fasadë.

Fatos Nano e di mirë se një president si ai vetë është një telash i paskrupullt për qeverisjen e Berishës e ndryshe nga Bamir Topi e Alfred Moisiu, Nano i vogël i madh do ia nxijë jetën Berishës së madh të vogël. Nano patjetër që ka për të ndihmuar ekuilibrisht të majtën të vijë në pushtet mot, por  bashkëpushteti me Edi Ramën do të jetë një tjetër sfidë e llahtarshme.

Të jemi realistë, qeverisjet e Nanos njihnin pavarësi pushteti e sidomos drejtësia kishte autoritet dhe indipendencë profesionale jo si kjo menderosje justiniane që po ndyn halabakçe vendin tim dhe tuajin. Gjykatat e atëhershme kishin gjingjona më të përgjegjshëm e sashenkat dukeshin më të bukura e më fisnike.

Në kohën e Nanos vidhej e vritej me racion nga çdokush kolektivisht jo si tani që aristokracia e krimit dhe zengjine e Berishës fillon me Fahrullahun e 55-s e mbaron me Ristanin që vret votat dhe me Ndrea Prendin që vjedh jetë njerëzish.

Tosi iku nga pushteti si lolipop i lëpirë e i tretur dhe riciklimi që kërkon ti bëjë vetes me karrigen e presidentit duket ashiqare si rrëmbim i kafshatës taksur për të tjerë. Riciklimi i Tosit nuk mbetet një shqetësim politik personal, mbetet një shqetësim nacional gjeneratash e mentalitetesh.

Në një vend si Shqipëria ku vitalisht mosha mesatare vërtitet rreth të tridhjetave në mënyrë flagrante kërkohet të ofendohen gjenerata të tëra të supershkolluara e me kontribute fantastike në progresin e vendit. Rifutja e Fatos Nanos në politikë nuk është as më shumë e as më pak ndryshim i madh nga korriku i 2005-s kur ky vend i besoi lëkurës së depiluar të Berishës qimet e plakura të së cilës u rritën e na kanë zënë fytyrë e frymë.

Rifutja e Tosit në politikë riciklon gjithë gjeneratën e fytyrave të vjetra të para e pas tranzicionit, të cilat mbajnë peng me apo pa dashje këtë vend qysh nga 1987-a e ndryshe nga sivëllezërit e tyre në Ballkan e më në Lindje u ndryshkën selive të partive dhe ekraneve të televizioneve. Nuk mund ta rinojë e riciklojë as kënaja ngjyrë karrotë me të cilën lyen leshrat Nano, madje as edhe tërheqja e dhimbshme që i bën lëkurës së fytyrës së tij të regjur alla berlusconeze nuk mundet të jetë aq atraktive sa tu kthejë mendjen shqiptarëve apo vendimmarrësve në kryeqytetet belge e amerikane.

Më habit krejt fakti sesi deri më tani askush nga media a politika nuk u bë kurrë kureshtar të investigonte a të pyeste çiftin Nano Nano se sa euro (jo lekë ose dollarë) kanë shpenzuar këto shtatë vitet e fundit? Sa është kostoja mesatare shpenzimeve të tyre ditore pa llogaritur pije, kazinora a ynere sevdaje? Sa qindra herë kanë udhëtuar me kompaninë ajrore Austrian në segmentin Tiranë-Vjenë-Tiranë e kush i paguan biletat e tyre të shtrenjta në Bussines Class? Ku dhe si jetojnë në Vjenë në një nga kryeqytetet më të shtrenjta të kontinentit?

Si shkojnë bizneset e zonjës (që kërkon të bëhet First Lady) Nano Nano dhe pse nuk bëhen kurrë publike xhiroja vjetore, të ardhurat, tatim-taksat e kompanive të saj? Po familjet e para të tyre si, ku me çfarë jetojnë?

Imagjinoni këtë çift në Amerikë dhe media do u kish publikuar edhe shpenzimet e mbushjes së dhëmballëve apo dyqanin dhe markat e brekëve dhe lingerive.

Transparenca nuk i ka pasur kurrë hije Tosit dhe Xhoit e pse nuk pleqërojnë dot kaq herët të dy, ne shqiptarët e tjerë duhet të ripaguajmë sërish taksa për pesë vitet e ardhshme.

Një Fatos Nano president thjesht shuan dhe fashit egon e çdokujt që i/e pakonsumuar në politikë ëndërron e rrezaton më tepër idealizëm e vullnet për ndryshim. Çdo kush që punon e sakrifikon ndershmërisht të ndërpresë marrëdhëniet e Shqipërisë njëherë e mirë me esattoptanfevzinjtë e sythur më 1 janar të 1991. Nano President është sikur në 1997-n Ramiz Alia të kërkonte të rikandidonte për president në vend të Rexhep Meidanit.

Nuk ka rëndësi se sa orë e çfarë kishte në menynë e darkës së Nanos me Arvizu-në, nuk ka rëndësi edhe kur presioni ndërkombëtar do të rritet për një president mbi palët. Nano President do të jetë një plagë e hapur, e cila me doktorin Doktor thjesht do të qelbëzohet deri sa të dy, edhe mjeku edhe pacienti do të infektojnë edhe godinën e spitalit ku gjenden.

Nano president është një skeç oriental bajat që kërkohet të luhet në një vend, i cili thjesht në heshtje e modestisht mot në beharin e vapshëm, me votë do të bëjë gjëmën.


Më shumë nga Politika

Të gjitha ›