E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli-deputetëve maqedonas: Të lëmë pas të shkuarën

Në fjalën e vet, kryeparlamentarja vuri theksin në integrimin e të dyja vendeve në Bashkimin Evropian, teksa nënvizoi se duhet të lihen pas konfliktet e shkuara.

"Integrimi në Bashkimin Evropian është interesi që bashkon Shqipërinë dhe Maqedoninë, është e ardhmja e Ballkanit Perëndimor", deklaroi Topalli.  Ajo kërkoi bashkëpunim për reformat integruese si qëllimi i përbashkët për të dyja vendet. "Një Ballkan i ndërlidhur me vendet fqinje dhe me një partner si SHBA-ja do t`i jepte një dinamikë të re zhvillimi,dhe do të jepte edhe një standard të ri për integrimin evropian. Anëtarësimi i Ballkanit do ta lehtësonte edhe vetë BE-në në një sfidë sa politike, aq edhe ekonomike", nënvizoi Topalli.

Para deputetëve shqiptarë dhe maqedonas, ajo u shpreh kundër dhunës dhe të gjithë formave që ajo manifestohet, të cilat i konsideroi jo vetëm të papranueshme, por dhe anakronike. “Kufijtë që dikur ishin muret tona, sot nuk kanë më kuptimin e atyre të dikurshëm. Infrastruktura që po ndërtojmë na afron edhe më shumë. Ne jemi evropianë dhe si të tillë duhet të jetojmë e sillemi. Të jesh evropian do të thotë të ndash të drejtat vlerat, tolerancën, ligjin, barazinë para ligjit, të drejtat e minoriteteve", theksoi Topalli.

"Rajoni ynë, vijoi ajo, ka ndryshuar; nuk ka më gjenocide, mizori dhe luftë. E kaluara dhe historia na ka mësuar se dhuna është arsyeja e atij që e ka gabim; dhuna është brutale, iluzive. Koha që jetojmë refuzon çdo shfaqje dhune dhe intolerance".  Kryetarja e Kuvendit theksoi se politika e jashtme e Shqipërisë është e orientuar në forcimin e marrëdhënieve dhe integrimin e rajonit. "Shqipëria do mbetet një faktor i rëndësishëm në rajon që ndikon në ruajtjen e stabilitetit politik dhe ekonomik të tij. Politika e rajonit është pasuruar në dy dekadat e fundit me realitete të reja, politike dhe shtetformuese. Është formuar shteti i ri i Kosovës", tha Topalli. /Start/

                                                                                             2012-04-04 14:33
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›