Raporterët e APKE-së me Topin dhe kryeprokuroren për ngjarjet e 21 janarin

Takimi
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, është takuar me dy raporterët për Shqipërinë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Tomas Jirsa dhe Grigore Petrenco, të cilët shoqëroheshin nga Sekretari i Komisionit të Monitorimit të APKE-së, Bas Klajn. Ata ndodhen në Tiranë në një vizitë 3-ditore, me qëllim mbledhjen e fakteve rreth detyrimeve që i rrjedhin Shqipërisë si anëtare e Këshillit të Evropës.
Mes presidentit dhe delegacionit të APKE-së është diskutuar mbi zhvillimet më të fundit politike si edhe për hetimet e ngjarjes së 21 janarit.

Topi me delegacionin e APKE-së
Për këtë çështje siç thuhet në njoftimin e Presidencës ata ndanë të njëjtën pikëpamje se në një vend të vërtetë demokratik, mbi të gjitha e në çdo rast duhet të ruhen e të mbrohen të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, por dhe pavarësia e institucioneve kushtetuese, sidomos për funksionimin e suksesshëm të shtetit të së drejtës.
Delegacioni i APKE-së ka nënvizuar se Këshilli i Evropës është i gatshëm për të ndihmuar Shqipërinë në proceset e saj demokratike duke shtuar se dëshira dhe vullneti i mirë për të punuar siç duhet, dhe miradministrimi i të gjitha potencialeve të vendit do të sjellin natyrshëm zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë dhe fuqizimin e saj edhe në kuadër të integrimit të pritshëm në gjirin e familjes së madhe evropiane. /F.S/
Ina Rama – raporterëve të KiE-s: Jemi të vendosur për zbardhjen e “21 janarit”
Dy raporterët e KiE-së, Tomas Jirsa dhe Grigore Petrenco janë takuar po sot dhe me Prokuroren e Përgjithshme Ina Rama. Në qendër të bisedës mes tyre kanë qenë hetimet mbi ngjarjen e 21 janarit si dhe marrëdhëniet midis institucionit të akuzës me gjykatat dhe ekzekutivin.
Kryeprokurorja është shprehur se organi që ajo drejton mbete e angazhuar për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të cilat janë dy fenomene shqetësuese për shoqërinë shqiptare.
Lidhur me çështjen e 21 janarit, Rama është shprehur se prokuroria është e vendosur për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, pavarësisht problematikës me të cilën është ndeshur gjatë hetimit institucioni i akuzës.
Meta: E meritojmë statusin kandidat

Takimi me Metën
Në takimin që raporterët e KiE-së patën me kreun e LSI-së Ilir Meta janë zhvillimet e fundit politike në Shqipëri. Meta është shprehur se vlerëson krijimin e klimës pozitive mes forcave politike në vend duke shtuar se qytetarët shqiptarë nuk e meritojnë klimën e panevojshme konfliktuale dhe polarizuese me të cilën u përballën gjatë dy viteve të fundit.
Meta e ka konsideruar marrjen e statusit konditat për anëtarësimin në BE, brenda këtij viti si një hap të merituar dhe kyç për të ardhmen e vendit. Në këtë prizëm ai është shprehur se partitë politike duhet të bashkëpunojnë në mënyrë institucionale dhe konstruktive për realizimin e plotë të reformave të nevojshme.