E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elvis Cefa propozohet ne vend te Kreshnik Spahiut ne KLD

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike propozon kreun aktual të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Elvis Cefën, në postin e anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në vend të Kreshnik Spahiut. Propozimi u bë në mbledhjen e komisionit parlamentar të Ligjeve, pas shkarkimit të Spahiut pak kohë më parë nga Parlamenti, në vijim të miratimin të raportit përfundimtar të komisionit hetimor, i cili vërtetoi se zoti Spahiu, gjatë detyrës së nënkryetarit të KLD-së, kishte abuzuar me detyrën, në shkelje të plotë të ligjit dhe Kushtetutës. Propozimin për Elvis Cefën, në emër të 30 deputetëve demokratë e bëri ligjvënësi Viktor Gumi.
Komisioni parlamentar i Ligjeve ka caktuar deputeten demokrate Paulina Hoti si relatore e çështjes, për të përcjellë propozimin në mbledhjen e së mërkurës. Mazhoranca mori këtë nisëm ligjore, pasi Kreshnik Spahiu ishte votuar nga shumica parlamentare si anëtar i KLD-së. Për pasojë, ligjërisht i takon mazhorancës të bëjë propozimin për të plotësuar vendin vakant. Gjatë mbledhjes së komisionit, ligjvënësit kanë vijuar diskutimet teknike mbi projektligjin për Gjykatën Administrative.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›