Energjia, subvencionim i fshehtë për industrinë
Qytetarët shqiptarë duket se po paguajnë jo vetëm faturën e dritave të atyre që nuk e paguajnë, por po mbulojnë pjesërisht edhe koston e furnizimit me energji të biznesit të madh. Drejtori i Përgjithshëm i KESH, Gjergj Bojaxhi deklaroi pak ditë më parë se, “gjigantët e industrisë kanë të gjitha të drejtat ligjore të importojnë energji pa përdorur KESH si ndërmjetës, por deri tani, nuk ka asnjë importues të tillë, për shkak se energjia e ofruar nga KESH ka kosto më të ulët”.
Subvencionim i fshehtë
Gjatë viteve të fundit, industria e rëndë dhe organizatat e biznesit janë ankuar shpesh se janë detyruar të paguajnë një çmim shumë përtej kostos reale të energjisë që konsumonin, duke qenë një “klasë konsumatorësh e persekutuar”. Kjo qe e vërtetë deri në vitin 2005, kur shumica dërrmuese e energjisë prodhohej në vend dhe çmimet e importit qenë shumë të lira në krahasim me sot. Duke marrë parasysh këtë situatë, Enti Rregullator i Energjisë miratoi çmime më të ulëta për furnizimin nga tensioni i lartë ose i mesëm i gjigantëve industrialë si kromi, bakri, nafta e çeliku. Ndërkohë, disa masa për liberalizimin e tregut bënë që gjigantët e konsumit të energjisë të mendonin për të gjetur energji jashtë KESH-it. Enti Rregullator i Energjisë Elektrike, lëshoi disa licenca për import-eksportin e energjisë elektrike për llogari të privatëve. Megjithatë, deri më sot, ka patur vetëm një rast importimi energjie pa përdorur KESH, ndërsa tani, Korporata ankohet se po detyrohet të subvencionojë çmimet e energjisë jo vetëm për konsumatorët familjarë, por edhe për privatët e industrisë së rëndë, të cilat janë kompani nën pronësi të huaj.
Efekti kosto
Enti Rregullator ka miratuar çmime prej 5.2 deri në 7.5 lekë për kWh për biznesin e furnizuar nga KESH. Çmimet më të ulëta i ofrohen konsumatorëve të mëdhenj që furnizohen drejtpërsëdrejti nga tensioni i lartë. Pavarësisht se teorikisht furnizimi në sasi dhe nga tensioni i lartë mbart më pak kosto, në kushtet aktuale, kostoja është gjithsesi shumë më e lartë sesa çmimi. KESH ka një kosto mesatare për kilovat prej 9.78 lekësh. Energjia e importuar i kushton KESH rreth 10 lekë për kWh, pa futur koston e shërbimit të transmetimit brenda vendit. Ndërsa me paratë e taksapaguesve duhet të mbulohet nga qeveria rreth 1.5 lekë për çdo kilovat për konsumatorët familjarë, po buxheti i shtetit është i detyruar aktualisht të mbulojë kostot e KESH edhe për industrinë private.
Të vetmit që paguajnë koston reale, taksapaguesit
Tarifat aktuale të energjisë nuk pasqyrojnë kostot reale, as për konsumatorët familjarë, as për biznesin, ku dukshëm industria e rëndë është më e subvencionuar. Të vetmit konsumatorë që paguajnë koston reale të energjisë janë institucionet buxhetore. Shkollat, spitalet e institucione të tjera publike, kanë tarifën më të lartë të energjisë në vend prej 12 lekësh për kWh. Sektori publik vlerësohet se konsumon mes një të tretës dhe një të katërtës të energjisë totale të konsumuar në vend. Ngarkesa e institucioneve buxhetore me fatura dritash, është një praktikë e vjetër e qeverive shqiptare për plotësimin e të ardhurave të KESH në mënyrë indirekte, për të shmangur penalitetet e BB-së dhe FMN-së. Faturimet më të larta për institucionet publike u përdorën për herë të parë në vitin 2002, për të shpallur rritje në mbledhje të të ardhurave dhe reduktim të humbjeve.