Brace: Qeveria Berisha u pasurua me 1.5 milionë euro
TIRANË- Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erion Braçe ka akuzuar dje qeverinë se është pasuruar në kurriz të shqiptarëve, duke mos bërë asnjë transparencë për pasurinë. Duke shqyrtuar pasurinë e qeverisë “Berisha”, bazuar në formularët e deklarimit të pasurisë pranë Inspektoratit për vitin 2007, Braçe ka theksuar se pasuria e kësaj qeverie, vetëm për një vit është shtuar me 1.5 milionë euro. Përmes disa dokumenteve, Braçe ka informuar se disa ministra, apo edhe zv/ministra kanë përvetësuar troje dhe pasuri monetare. “Duke iu referuar deklarimit të pasurive të vitit 2007 të ministrave të qeverisë së z.Berisha, zv/ministrave, por edhe Drejtorit të KESH-it, rezulton se gjatë vitit 2007 kanë shtuar pasurinë me 1.5 milionë euro, ose 125 mijë euro në muaj. Do doja të thosha se qeveria e kryeministrit Sali Berisha për vitin 2007 u pasurua me 7 apartamente luksoze në zonat më të shtrenjta të Tiranës, apo plazheve më të bukura të vendit. Qeveria e kryeministrit Sali Berisha u shtua me 42 llogari bankare në lekë, dollarë dhe euro, në Shqipëri si dhe jashtë saj. Qeveria e kryeministrit Sali Berisha u shtua me 3 raste me bono thesari, dhjetëra aksione në pasuri të paluajtshme, apartamente, troje dhe natyrisht makina. Qeveria e Kryeministrit u shtua me katër makina private nga më të shtrenjtat në tregun europian dhe, së fundmi, qeveria e Berishës në 10 raste hyri në borxhe në kredi”,- tha ndër të tjera Braçe. Në përfundim të fjalës së tij, nënkryetari i grupit parlamentar i PS-së, Erion Braçe tha se kjo qeveri nuk është aspak në dietë, ashtu siç është deklaruar në fillim.
F.B.