A e shpëton lënia e duhanit jetën e grave?
Lënia e duhanit mund të shpëtojë jetën e shumë njerëzve. Një studim i kryer mes grave që pijnë duhan tregon se lënia e tij pakëson dukshëm rrezikun e prekjes nga sëmundje vdekjeprurëse brenda 5 vjetëve të ardhshëm.
Liz Rajlli filloi të pijë duhan që kur ishte 15 vjeç. Ajo nuk e dinte se ky ves do të zgjaste për 30 vjet. Por më pas e kuptoi se nëse do të vazhdonte të pinte duhan, me siguri do të vdiste prej tij.
Kohët e fundit, shkencëtarët morën në shwyrtim se sa shpejt mund të pakësohet rreziku ndaj problemeve të shëndetit kur gratë lënë duhanin.
Mjekja Stacey Kenfield pranë shkollës për shëndetin public në universitetin e Harvardit thotë se ajo dhe kolegët e saj arritën në përfundimin se për disa sëmundje nuk duhet kohë e gjatë që gratë të shohin rezultatin pozitiv dhe të mirat që vijnë nga lënia e duhanit.
Shkencëtarët morrën në shqyrtim gjendjen e rreth 100 mijë grave nga viti 1980 deri më 2004 dhe krahasuan numrin e vdekshmërisë nga sëmundje të ndryshme mes atyre që pinin duhan edhe atyre që e kishin lënë atë, me grupin e grave që nuk kishin pirë asnjëherë duhan. Rezultatet e vëzhgimeve treguan një pakësim të madh rrezikut të vdekjes menjëherë sapo grate linin duhanin.
Mjekja Kenfielld thotë se brenda 5 vjetëve pas lënies së duhanit, u vu re një pakësim prej 21 përqind i rrezikut të vdekjes nga kanceri i mushkërive dhe një pakësim prej 50 përqind në rrezikun e vdekjes nga sëmundjet kardiovaskulare dhe të zemrës. Studimi tregoi gjithashtu se 20 vjet pas lënies së duhanit rreziku i vdekjes nga sëmundjet kardiovaskulare pakësohej edhe më shumë. Sipas studimit, rezultatet e të cilit u botuan në revistën e shoqatës amerikane të mjekësisë, kur organizmi pastrohet nga karcinogjenet që hyjnë në trup nëpërmjet tymit të cigares, organizmi është në gjendje të riparojë veten.
Liz Rajlly, e cila e la duhanin në vitin 2002, thotë se pas kaq shumë vjetësh është në gjendje të marrë frymë lirisht. Tani ajo këshillon gratë e tjera që të lënë duhanin.