Topalli i vë "kyçin" Kuvendit. S'ka projektligje

Topalli nuk mbledh Konferencën e kryetarëve. Në dy muajt e fundit qeveria ka depozituar në Kuvend vetëm 8 draft-ligje
TIRANË - Kuvendi i Shqipërisë ndjen vështirësi serioze në ushtrimin e misionit të tij ligjvënës. Qëndrimi i kushtëzuar i opozitës, por edhe aktiviteti i kufizuar i ekzekutivit në drejtim të përgatitjes dhe propozimit të projektligjeve ka tkurrur së tepërmi punën e legjislativit shqiptar.
Komisionet dhe seanca plenare parlamentare prej kohësh janë kthyer thjesht në ratifikuese të marrëveshjeve ndërkombëtare, ndërsa ditët e fundit mungesa e draft-ligjeve ka detyruar kryetaren e Kuvendit të mos thërrasë Konferencën e Kryetarëve për miratimin e kalendarit tre javor.
Konferenca
Në rendin e ditës të seancës së shkuar plenare, pikë e tretë e axhendës parlamentare ishte miratimi i kalendarit tre javor të punimeve të Kuvendit të Shqipërisë. Por, një gjë e tillë nuk ndodhi, për të vetmen arsye se konferenca e kryetarëve që duhej të përcaktonte në mënyrë paraprake kalendarin, nuk ishte mbledhur.
Arsyeja duket se është e thjeshtë; në Kuvend ka shumë pak projektligje të reja, ndërsa qëndrojnë të depozituara prej kohësh një sërë nismash të tjera ligjore, që për miratimin e tyre kërkohet konsensusi i opozitës. Kështu në dy muajt e fundit Këshilli i Ministrave ka miratuar dhe ka paraqitur për votim në Kuvend vetëm 8 draft-ligje nga të cilët 4 janë marrëveshje dhe 4 të tjera nisma që kërkojnë të ndryshojnë ligjet ekzistuese.
Listës së projektligjeve të depozituara në Kuvend i shtohet edhe projektligji për Shërbimin Informativ Shtetërorë, i cili siç edhe dihet tashmë është marrë nga misioni i EURALIUS për ekzaminim ligjor.
Kodet
Në faqen zyrtare në internet të Kuvendit të Shqipërisë ekspozohen një sërë nismash ligjore që janë në pritje për t'u miratuar, por që kalimi i tyre është i kushtëzuar direkt nga pjesëmarrja e opozitës në procesin e rregullt ligjvënës, për vet faktin se ato përfshihen në kategorinë e atyre projektligjeve që kërkojnë 84 vota. Bëhet fjalë për një sërë kodesh, siç është ai hekurudhor, doganor, rrugor dhe detar, të cilët qëndrojnë në pritje prej më shumë se 2 vjetësh.
Gjithashtu, kësaj liste i shtohen edhe dy projektligje të tjera shumë të rëndësishme siç është ai "Për Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative dhe Organizimin e Drejtësisë Administrative", i njohur ndryshe si drafti që bën të mundur krijimin e gjykatës administrative, si dhe projektligji tjetër "Për ndarjen administrative-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar".
Të dyja këto nisma që kërkojnë shumicë të cilësuar, janë depozituar në Kuvend respektivisht në vitin 2008 dhe 2007, por që për mungesë konsensusi me opozitën kanë mbetur pa u miratuar.
Pavarësisht se nuk ka votat e duhura mazhoranca i ka përfshirë këto dy drafte në programin dy mujor të punimeve të Kuvendit, 1 mars-21 prill, por pa i vendosur në kalendar.