E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi,homazhe në Ambasadën polake në nderim të Presidentit Kazinski

Presidenti Topi i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm, Aleksandër Flloko dhe Drejtori i Kabinetit, Dashamir Xhaxhiu bëri homazhe sot në mesditë në Ambasadën polake në Tiranë duke i shprehur pikëllimin dhe ngushëllimet Ambasadores polake, zonjës Irena Tatarzinska për humbjen e parakohshme në një aksident tragjik ajror të Presidentit të Republikës së Polonisë, Leh Kazinski, bashkëshortes së tij, anëtarëve të kabinetit dhe pjesëtarëve të tjera të delegacionit zyrtar që u shuan në Smolensk.
Pasi u përul me respekt para fotos me shiritin e zi të çiftit të ndjerë Kazinski të vendosur në mjediset e Ambasadës polake, Presidenti Topi shprehu edhe njëherë ngushëllimet më të sinqerta dhe dhimbjen më të thellë të shoqëruar nga tronditja për vdekjen e parakohshme të Kreut të shtetit polak dhe nënshkroi Librin e Zisë, duke theksuar para mediave të pranishme: "Sigurisht që humbja tragjike e Presidentit Kazinski, e bashkëshortes dhe e personaliteteve të larta që e shoqëronin përbën një shok të jashtëzakonshëm për të gjithë. Padyshim përtej kësaj dhimbjeje, pata rastin të vlerësoj nëpërmjet një shkrimi të shkurtër atë që ne e konsiderojmë si fisnike, si ndihmë të vazhdueshme nga Polonia, veçanërisht nga Presidenti Kazinski, i cili ishte edhe miku im.
"Sot dhashë ngushëllimet dhe vendi mik i Polonisë do të dijë ta kalojë me vullnet e kurajo këtë humbje të rëndë, që padyshim i ka përmasat e veta jashtëzakonisht të gjera, sepse përveç Presidentit sikurse e thashë, ishin edhe personalitete të tjera shumë të rëndësishme të institucioneve të Republikës së Polonisë. Jam i bindur që populli polak, institucionet e Polonisë, do të dinë të dalin nga kjo situatë që vjen pas tragjedisë, dhe ditë më të qeta do të vijnë më pas, sepse janë gjëra që nuk varen nga ne. Janë aksidente që ndodhin herë pas here" shtoi Topi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›