Rritja e energjisë, protestë në Kodër - Kamëz
Deputeti i PS-së, Namik Dokle, u bëri thirrje banorëve që më 30 prill të mblidhen në bulevardin e madh
TIRANË - Opozita protestoi dje për situatën e vështirë ekonomike në Kodër - Kamëz, atje ku banorët vuajnë jo vetëm për rritjen e faturave të dritave, por edhe për mungesën e ujit të pijshëm. Për problemet sa më sipër, por edhe për koston e lartë të jetesës, banorët e Kodër - Kamzës kanë protestuar dje, duke u mbështetur edhe nga deputeti i PS-së, Namik Dokle.
"Sot, Partia Socialiste është në krye të protestuesve në mbarë Shqipërinë nga Tropoja deri në Konispol, nga Vlora në Shkodër, nga Kukësi në Durrës, nga Berati në Korçë e kudo. Ne sot këtu vijmë për t'i thënë Berishës hap kutitë ose largohu dhe ndal rrënimit ekonomik të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, sepse është e drejta jonë të protestojmë.
Kur qeveria vjedh është e drejta jonë t'i themi që është qeveri hajdute, kur qeveria shkel ligjin është e drejta jonë që t'i themi turp, kur qeveria vjedh votat është e drejta jonë që t'i themi pse manipulon dhe kështu nuk shkohet në Europë.
Për këtë janë mbledhur banorët sot këtu dhe për të gjitha problemet dhe hallet që ata kanë, qoftë punësimi, qoftë dritat dhe uji, qoftë rritja e çmimeve në mënyrë skandaloze, madje nuk u mjaftojnë vetëm rritja e çmimeve, por me faturat e energjisë elektrike po bëhet një batërdi për qytetarët e Laprakës, për qytetarët e Kamzës dhe për qytetarët e gjithë Shqipërisë", - tha dje Dokle.
Ai u bëri thirrje banorëve të Kodër - Kamzës që më 30 prill bashkë me gjithë Shqipërinë të mblidhen në bulevardin e madh "Dëshmorët e Kombit" për të protestuar. Po dje në mesditë, deputeti i PS-së, Besnik Baraj, përmes një konference për shtyp, paraqiti panoramën e situatës ekonomike dhe sociale në vend.
"Pensionistët janë shumë më keq se 5 vjet më parë, pasi me rrogat e tyre nuk arrijnë të mbyllin as 15 ditë të muajit, e jo më të blejnë ilaçet e të paguajnë faturat e larta të energjisë elektrike, të rinjve u është mbyllur e ardhmja në këtë vend dhe vazhdojnë ta shohin veten jashtë Shqipërisë si në 1992, pasi diplomat e tyre nuk u sigurojnë dot punë, ushtarakët nuk arrijnë të marrin atë që gjykatat e këtij vendi ja kanë dhënë, pasi Sali Berisha pengon realizimin e këtij vendimi, policët e nxjerrë në lirim kanë 1 vit që s'marrin rrogat e tyre", - tha ai.