E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizat, KE: Nuk ka datë për Shqipërinë

Zyrtarët e Brukselit zbehin trumbetimin e qeverisë për heqjen e vizave

BRUKSEL - Komisioni Europian ka bërë të ditur dje se liberalizimi i vizave me Shqipërinë në vendet e hapësirës Shengen mund të mos ndodhë në verën e këtij viti, ashtu siç është trumbetuar gjatë gjithë kësaj kohe nga qeveria shqiptare.


Para së gjithash, ky proces, sipas zyrtarëve të Brukselit, do të finalizohet mbi bazën e arritjeve dhe përmbushjes së standardeve në mënyrë të ndarë nga Bosnja-Hercegovina, e cila në këtë rast duket më e favorizuar nga vendi ynë.


Në këtë mënyrë, Brukseli ka plotësuar kërkesën e Kryeministrit shqiptar Sali Berisha, që heqja e regjimit të vizave të mos kryhet në bllok së bashku me Bosnjën. Por, pavarësisht kësaj, ajo që është më e rëndësishme ka të bëjë me faktin se ende Komisioni Europian nuk ka një datë të përcaktuar për liberalizimin e vizave me Shqipërinë duke e lënë pezull çdo gjë.


Sipas zëdhënësit, Mikele Cerkone, të komisioneres për Çështjet e Brendshme në Komisionin Europian, Sesilia Malmstrom, theksohet se ekspertët e Komisionit Europian janë duke formuluar vlerësimet e tyre për ecurinë e deritanishme të dy vendeve të mbetura të Ballkanit. Ky vlerësim sipas tij, do t'i paraqitet Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian, Parlamentit Europian, si dhe autoriteteve shqiptare e boshnjake.


Pas shqyrtimit të këtij vlerësimi, Komisioni Europian do të arrijë në përfundimin nëse të dyja vendet i kanë përmbushur ose jo kriteret për të bërë të mundur liberalizimin e vizave. Megjithatë, për sa i përket periudhës për heqjen e regjimit të vizave, Cerkone vë në dukje se nuk ka një afat kohor për përfundimin e këtij procesi.


"Komisioni Europian vazhdon të monitorojë zbatimin e kushteve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave nga Bosnjë-Hercegovina dhe Shqipëria. Ne veçanti, janë kryer vlerësime në terren gjatë periudhës dhjetor 2009 dhe shkurt 2010 nga ekspertët e vendeve anëtare të BE-së, me porosi te Komisionit.


Ekspertët e Komisionit Europian e tani janë duke formuluar vlerësimet e tyre për progresin e Bosnjës dhe Shqipërisë. Ky vlerësim do t'i paraqitet Këshillit të Ministrave, Parlamentit Europian dhe autoriteteve boshnjake e shqiptare.


Vetëm nëse Komisioni Europian do të gjykojë se Bosnja ose Shqipëria, ose të dyja vendet, i kanë përmbushur kriteret e udhërrëfyesit, do të propozojë heqjen e vizave për qytetarët e Bosnjës ose Shqipërisë, ose për të dy vendet. Është tepër herët për të komentuar mbi një afat kohor. Në këtë pikë, nuk kemi komente të tjera për të bërë", - tha zëdhënësi i Sesila Mallstrom.


Ky qëndrim i Komisionit Europian vjen në një kohë kur shumë zyrtarë nga Brukseli kanë vënë në dyshim liberalizimin e vizave me Shqipërinë duke thënë se mund të jetë Bosnje-Hercegovina ajo që mund të prekë më shpejt këtë proces.


Një deklaratë e tillë erdhi pak ditë më parë nga ministri i Jashtëm i Spanjës, Miguel Angel Morations, vendi i të cilit kryeson edhe presidencën e radhës së Bashkimit Europian, i cili theksoi se qytetarët e Bosnjës do të jenë ata që do të lëvizin pa vizat në vendet e Bashkimit Europian, me përjashtim të Britanisë së Madhe dhe Irlandës.


Gjatë kësaj jave, konkretisht të mërkurën më 14 prill, Kryeministri i vendit, Sali Berisha dhe ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha, do të jenë në Bruksel për t'u takuar me zyrtarët e BE-së, ku kreu i qeverisë do të dorëzojë Pyetësorin e plotësuar nga vendi për përfitimin e statusit kandidat për në Bashkimin Europian dhe ministri i Brendshëm do të diskutojë me komisioneren për Çështjet e Brendshme në KE, Sesilia Malmstrom, mbi progresin e bërë nga Shqipëria për udhërrëfyesin e regjimit të vizave.

Fokusi i diskutimeve, kriza politike, heqja e vizave dhe integrimi në BE

Fratini sot në Tiranë, takon Berishën e Topin


TIRANË - Në një kohë kur nga Brukseli vijnë qëndrime pesimiste për liberalizimin e vizave me Shqipërinë në verën e këtij viti, për shkak të krizës politike në vend, e cila vazhdon të mbetet e pazgjidhur, mbërrin sot në Tiranë, ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini, një nga mbështetësit kryesorë të Shqipërisë në proceset integruese të saj. Vizita zyrtare e kreut të diplomacisë italiane do të jetë vetëm disaorëshe dhe në këtë hark kohor ai do të takojë krerët e shtetit shqiptar.


Procesi i liberalizimit të vizave dhe integrimi i vendit në Bashkimin Europian, por edhe kriza politike midis mazhorancës dhe opozitës për çështjen e transparencës së zgjedhjeve, do të jenë në qendër të diskutimeve me liderët e vendit.


Së pari, Fratini do të takohet me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Ilir Meta, të cilët do të mbajnë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp, ku pjesa kryesore e kësaj konference do të fokusohet mbi procesin e heqjes së regjimit të vizave në zonën "Shengen".


Ndërsa më pas ministri i Jashtëm italian do të takohet edhe me kreun e qeverisë shqiptare, Sali Berishën, të cilët do të japin gjithashtu një deklaratë për shtyp. Të dyja takimet e lartpërmendura do të zhvillohen gjatë orëve të paradites së sotme.


Ndërsa në orën 13:00, Fratini do të pritet në selinë e Presidencës nga kreu i shtetit Bamir Topi. Italia është pozicionuar në favor të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe në mbështetje të liberalizimit të vizave, kjo për shkak edhe të interesave që ka shteti fqinj kryesisht në ndërtimin e termocentraleve bërthamore përgjatë bregdetit shqiptar.


Megjithatë, ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini, e ka deklaruar edhe më parë qëndrimin e tij në favor të integrimit evropian të vendit tonë, qëndrim të cilin mbetet ta deklarojë edhe ditën e sotme. Kjo është vizita e katërt e kreut të diplomacisë italiane, i cili e ka vizituar më parë vendin tonë edhe në cilësinë e Zëvendëspresidentit të Komisionit Europian për Çështjet e Sigurisë dhe Drejtësisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›