Topalli kërcënon deputetët e PS: Do akuzohen për vjedhje
Cara akuzon Daden dhe Braçen. Dade: Unë e kam dorëzuar prej kohësh
Kryeparlamentarja Topalli ka kërcënuar deputetët socialistë që nuk kanë dorëzuar makinat e tyre se do të ndëshkohen sipas ligjit për “vjedhje të pasurisë publike”. Në seancën e mbrëmshme të Kuvendit, është hapur papritur çështja e makinave nga një deputet i mazhorancës, por Topalli ka reaguar menjëherë. Deputeti i PD-së, Igli Cara, ka përmendur parlamentarët Arta Dade dhe Erjon Braçe që, sipas tij, nuk kanë dorëzuar automjetet e Kuvendit. Pas Carës ka folur kryeparlamentarja Topalli, e cila tha se ata do të përgjigjen për vjedhje të pronës publike. Ndërkaq, e kontaktuar me telefon, deputetja Arta Dade deklaroi për “Shqip” se automjeti që ajo ka marrë nga Kuvendi është dorëzuar prej kohësh. “E dorëzova, pasi ajo ishte një makinë me targa zyrtare dhe këtë mund ta verifikoni lehtësisht në parkun e Kuvendit”, tha zonja Dade, e cila ishte mjaft e çuditur që ishte përmendur emri i saj për çështjen e automjetit. çështja e makinave të deputetëve të opozitës është bërë shpeshherë pjesë e polemikës mes Topallit dhe PS-së. Sapo Partia Demokratike erdhi në pushtet, Kryetarja e Kuvendit u kërkoi ish-ministrave socialistë të dorëzonin makinat që ata kishin marrë si pasojë e statusit si anëtarë të qeverisë dhe më pas i kanë kaluar në inventarin e Kuvendit. Deputetët e opozitës kanë kundërshtuar akuzat, duke thënë se nuk ishin ata përfituesit e privilegjeve, por parlamentarët e mazhorancës dhe ata që “sillen mirë” duke votuar sipas midesë së qeverisë. Kohët e fundit Parlamenti miratoi një ligj, që u heq deputetëve të drejtën për të përdorur makina zyrtare dhe qeveria i jep nga buxheti i shtetit anëtarëve të Kuvendit vetëm një sasi të hollash që ata mund t’i përdorin për të blerë karburant. Kuvendi miratoi gjithashtu edhe një ligj që bënte ndarjen e planit të parave për karburant sipas qarqeve, ku ato më të largëtat merrnin edhe sasinë më të madhe. Ndërsa, pas miratimit nga Kuvendi, Gjykata Kushtetuese rrëzoi një pjesë të këtij ligji për sa u përket makinave të gjyqtarëve. Ndërkaq, konflikti i kryeparlamentares Topalli dhe deputetëve të Partisë Socialiste është edhe për çështjen e rrogave, pasi një pjesë e parlamentarëve që përfitojnë shpërblim edhe si ish-deputetë nuk e marrin këtë, për shkak të vendimit jo formal të Topallit që u ka prerë çdo veprim financiar.
#