E Shtunë, 31 Tetor 2026

Polici-prokurori, bashkë për Antimafien

Krerët e lartë të akuzës e të ekzekutivit diskutojnë për hapjen e dosjeve të vjetra dhe luftës ndaj trafiqeve

Lufta ndaj korrupsionit ka ulur në një tryezë krerët më të lartë të prokurorisë dhe të Ministrisë së Brendshme e Policisë së Shtetit. Krahas projektligjit për OPGJ-në, në takimin një orësh është diskutuar edhe për implementimin në “terren” të ligjit “Antimafia”. Prokurorja e Përgjithshme, Rama, dhe ministri i Brendshëm, Basha, shprehën angazhimin e plotë për të nxitur dhe inkurajuar një bashkëpunim sa më intensiv polici-prokurori në luftën kundër krimit të organizuar. Kryeprokurorja dhe ministri diskutuan gjithashtu për përcaktimin e detyrave konkrete në strukturat e hetimit të policisë dhe prokurorisë për zbatimin e ligjit “Antimafia”, një instrument shumë i rëndësishëm ligjor për të goditur krimin e organizuar dhe asetet e tij ekonomiko-financiare”, thuhet në njoftimet e Prokurorisë së Përgjithshme dhe të Ministrisë së Brendshme për këtë takim. Sipas tyre, krahas luftës së vazhdueshme kundër kriminalitetit, trafiqeve të paligjshme dhe trafikut të qenieve njerëzore, strukturat hetimore të policisë dhe prokurorisë do të thellojnë bashkëpunimin edhe për hetimin e zbulimin e krimeve të vjetra. Gjatë takimit mes Prokurores së Përgjithshme, Rama, dhe ministrit të Brendshëm, Basha, u ra dakord edhe mbi procesin e trajnimeve të përbashkëta të prokurorëve dhe të oficerëve të policisë gjyqësore.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›