Qarku me buxhet të cunguar qeveria i shkurton fondet
Kukës
Për vitin 2010 i janë caktuar 130 milionë lekë fonde më pak
Nuk do të jetë vetëm bashkia me buxhet të cunguar dhe minimal, por edhe vetë Këshilli i Qarkut të Kukësit do të ketë më pak se një miliard lekë të vjetra për vitin 2010 ose 130 milionë lekë më pak se një vit më parë. Sipas specialistëve, një buxhet i tillë do të rrezikojë shkurtimin e vendeve në administratë.
Ministria e Financave ka dërguar në Këshillin e Qarkut të Kukësit një buxhet shumë më të ulët se një vit më parë, duke vënë në vështirësi këtë institucion të rëndësishëm rajonal. Në takimin e djeshëm të këtij këshilli u bë e ditur se në total dërgesa ishte rreth një milion dollarë apo më pak se një miliard lekë të vjetra. E thënë ndryshe, më shumë se 130 milionë lekë më pak se një vit më parë. Vlera totale e akorduar nga Ministria e Financave është rreth 93 000 000 lekë. Drejtori i financës në qark, Avdyl Mena, thotë se me këto para do të duhet të funksionojë administrata e Këshillit të Qarkut, ku përfshihen ndërmarrjet e rrugëve rurale, si dhe disa transferime për të verbrit apo invalidët, donacione apo sponsorizime për sportin e kështu me radhë. Duke parë këtë reduktim të konsiderueshëm të buxhetit, specialistët thonë se do të reduktohen edhe shpenzimet për administratën etj. Lidhur me këtë, kryetari i qarkut, Shefqet Bruka, thotë se do ulen me 50% shpenzimet operative, si edhe do zbatohet pa më të voglin lëshim ligji për heqjen e privilegjeve të ndryshme, që deri tani i gëzon një pjesë të mirë të administratës. Këtu ka përfshirë urdhër-shërbimet, heqjen e shoferëve apo automjeteve, të cilët deri tani janë përdorur, por që ligji i miratuar nga qeveria tashmë i ka hequr. “Për këtë vit kemi një buxhet më të ulët se vitin e kaluar, por jemi të ndërgjegjshëm që duhet të punojmë dhe ta menaxhojmë më mirë këtë buxhet, pasi në të kundërtën gjatë gjashtëmujorit të dytë të këtij viti mund të detyrohemi që të shkurtojmë organikën e administratës”, tha për këtë problem, Shefqet Bruka.
Me një reduktim të përafërt të buxhetit është ballafaquar vetëm pak kohë më parë edhe Bashkia Kukës, së cilës iu dhanë 100 milionë lekë më pak se vitin e kaluar. Drejtues të bashkisë janë shprehur se do t’i kërkojnë qeverisë financime shtesë, pasi, siç kanë nënvizuar vetë ata, “me kaq para është vështirë të mbulohen të gjitha shpenzimet e saj.
#