Topalli kërkon të blejë makinë 240 mijë USD
Shpenzimet e Kuvendit nuk kufizohen vetëm në paga për administratën dhe deputetët, por edhe mirëmbajtje, shërbime, si edhe investimet e tjera. Një ndër investimet që Kuvendi i ka kërkuar Ministrisë së Financave që financojë është blerja e një autoveturë të re VIP për Kryetaren, Jozefina Topalli me vlerë 24 milionë lekë. Aktualisht, Kryetarja e Kuvendit ka në përdorim një autoveturë tip Mercedes Benz prodhim i vitit 2003. Është pikërisht vjetërsia e kësaj makinë që ka detyruar Kuvendin të kërkoj financimin e blerjes së një të reje. Madje, sipas vlerësimit, mësohet se kjo autoveturë është fizikisht 60 % e amortizuar dhe nevojitet domosdoshmërisht një tjetër e re.
Autovetura VIP, TR 0015Z, prodhim i vitit 2003, (9 nëntë) vite në përdorim paraqitet: Amortizimi Kontabël mbi 90 për qind, fizik më shumë se 60 për qind. Konsumon pjesë këmbimi 1 000 000 lekë çdo vit duke paraqitur defekte të ndryshme dhe të përsëritshme. Shpesh është futur në defekt gjatë momentit të kryerjes së lëvizjes. Amortizimi i përgjithshëm i saj dhe problemet që paraqet gjatë shfrytëzimit na bënë që të vlerësojmë: Për pozicionin ku shërben kjo autoveturë nuk garanton më tej shërbimin për Titullar Shteti, – shpjegon Kuvendi në kërkesën e tij drejtuar Ministrisë së Financave për të miratuar një shpenzim të tillë për vitin 2012.
Krahas makinës VIP për Kryeparlamentaren, Kuvendi ka parashikuar të blejë edhe dy autovetura të tjerë në vlera disi më të vogla. E para është një minibus 8+1 me vlerë 5.6 milionë lekë, kurse tjera është një Kamionçinë me vlerë 5 milionë lekë.
Karburanti
Kuvendi renditet përsëri në krye të institucioneve që harxhojnë më shumë karburant. Administrata e tij, bashkë me kryetaren harxhuan rreth 9.5 milionë lekë karburant gjatë vitit të shkuar, ndërsa këtë vit parashikon të harxhojë rreth 12.7 milionë lekë ( me TVSH). Tenderi sapo është hapur nga Agjencia e Prokurimeve Publike dhe tashmë janë duke u dorëzuar ofertat.
Gazeta botoi disa ditë më parë me shifra sasinë e karburantit që kishin harxhuar gjatë vitit të shkuar ministritë si edhe institucionet e tjera si Kryeministria, Kuvendi dhe Presidenca. Në total, të gjitha ministritë shpenzuan rreth 208 mijë e 600 litra naftë dhe 122 mijë litra benzinë. Sasia vlen vetëm për institucionin qendror me seli në Tiranë dhe jo ato në varësi të tij nëpër rrethe. E përpjesëtuar me numrin e ministrive, përllogaritet që secila prej tyre të ketë konsumuar mesatarisht 23 600 litra karburant në një vit. Por, arka e shtetit pritet të shpenzojë më shumë para këtë vit për të mundësia lëvizjen e makinave krahasuar me një vit më parë. Sot një litër karburant, qoftë naftë apo benzinë kushton të paktën 20 për qind më shtrenjtë krahasuar me mesataren e fillim vitit 2011 (kur edhe janë bërë tenderët) për blerjen e sasisë në fjalë.
Kuvendi si Zyrë Punësimi, 219 punonjës përveç deputetëve
Emirjon Senja
Kuvendi është një ndër institucionet që shpenzon më shumë para nga buxheti i shtetit për të mbuluar shpenzimet e mëdha në drejtim të pagave dhe shërbimeve të tjera ndaj personelit tejet të fryrë si edhe në shërbim udhëtimeve të Kryetares, Jozefina Topalli. Të gjithë këto fakte dalin nga buxheti i detajuar i Kuvendit të Shqipërisë për këtë vit, në të cilin pasqyrohen zë pas zëri të gjitha shpenzimet që bën ky institucion. Gazeta ka siguruar një kopje të tij dhe po publikon listën e shpenzimeve në fjalë, të cilat do ti kishte zili çdo Kryeparlamentar në botë.
Ajo që bie e para në sy, është administrata e Kuvendit. Në borderotë e pagesave të këtij institucioni, figurojnë plot 349 punonjës. Nga këta, vetëm 115 figurojnë si deputetë, pasi pjesa tjetër (140 deputetë) përbëhet nga ministrat, kryetarja ose nënkryetarët e Kuvendit. Të gjithë të tjerët, 219 të tillë, janë punonjës të administratës së Kuvendit.
Hierarkia fillon nga Kryetarja e Kuvendit, më pas vijnë 3 nënkryetarët, 2 kryetarët e Grupeve Parlamentare, tetë kryetarët e Komisioneve, Shefi i Kabinetit, Zëdhënësja e Kryetares, Sekretari i Kryetarit (2), Sekretari i Nënkryetarit (3), këshilltarët e Kryetarit (3), sekretarët e Komisioneve Parlamentare, etj.
Lista e administratës së Kuvendit ndërkohë fillon me Sekretarin e Përgjithshëm, katër drejtorë të përgjithshëm, 16 drejtor drejtorie, 28 këshilltarë komisioni, etj. Kuvendi gjithashtu paguan në rangun e specialistit të lartë, me një pagë bruto prej 71 740 lekë 37 persona. Po ashtu, në administratën e Kuvendit figurojnë edhe 5 specialistë të lartë informatike me pagë bruto 84 660 lekë plus një shtesë mujore prej 15 mijë lekësh. Në total, 99 660 lekë. Me një status më të ulët, si specialistë, Kuvendi paguan edhe 35 punonjës të tjerë, të cilët kanë një pagë bruto prej rreth 60 mijë lekë në muaj.
Nuk mbaron me kaq, pozicionet e mësipërme janë ata që shërbejnë brenda godinës nëpër zyra, por Kuvendi është një institucion me ambiente relativisht të gjëra, kështu që një nevojë të madhe për tu mirëmbajtur.
Kështu, në bordërotë e tij figurojnë edhe 14 punonjës pastrimi. Krahas tyre, ky institucion ka gjithsej 15 shoferë. Njëri, është shoferi i Kryetares së Kuvendit, tre të tjerë janë shoferë të nënkryetarëve, një tjetër është shofer korrier. Dhjetë persona të tjerë figurojnë si shoferë në shërbim të stafit të Kuvendit. Lista vijon edhe më tej. Kuvendi ka nëntë punonjës mirëmbajtjeje dhe gjashtë mekanikë parku. Këto persona bëjnë shërbimet e makinave që ngasin 15 shoferët e mësipërm. Tre persona të tjerë shërbejnë si teknikë shtypshkronjë, njëri si punonjës shumëfishimi, dy janë magazinier, njëri arkëtar. Vetëm zyra e multimedias ka një numër punonjësish prej 10 personash. Kuvendi ka një kameraman, dy fotograf, pesë operatorë dhe dy përgjegjës shumëfishimi.
Topalli punëson më shumë se Topi dhe Berisha
Nëse nga numri total i punonjësve të Kuvendit (349) zbresim deputetët (115, plus ministrat dy nënkryetarë dhe kryetaren) del se ky institucion ka numrin më të madh të punësuarve krahasuar me institucione të tjera të rangut të tij, siç do të ishte përshembull Kryeministria apo Presidenca. Madje ka më shuma edhe në raport me disa ministri, të cilat nën varësinë e tyre kanë drejtori të ndryshme.
Referuar tabelave të buxhetit të vitit 2012, Kuvendi ka 81 punonjës më shumë se Kryeministria (128) si edhe gati trefishin e punonjësve të Presidencës (76). Kuvendi gjithashtu ka punonjës më shumë se Kontrolli i Lartë i Shtetit (156), Instituti i Statistikave (200), Avokati i Popullit (48) apo Ministria e Integrimit (75).
Numrin më të madh të punonjësve nën varësi, e kanë ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë me më shumë se 35 mijë punonjës. Më pas, renditen Ministria e Brendshme me 13 400 punonjës, Ministria e Mbrojtjes me 11 700, Ministria e Drejtësisë me 5 000, etj.
Topalli, plus rrogës 227 mijë lekë, përfiton edhe 108 mijë lekë në formë dietash në muaj
Nëse do të kesh një administratë të madhe në numër, sigurisht që shifra që harxhohet për paga dhe shërbime të tjera është e madhe, madje aq sa mund të krahasohet edhe me fondin total të pagave të parashikuar për deputetët. Paga bruto e një deputeti të Kuvendit të Repu
