Ska kallëzim, gjykata liron të përndjekurit që rrahën Rusmalin
Flamur Vezaj
TIRANË- Lirohen nga qelia dy ish-të përndjekurit politik, Lirak Bejko dhe Gjergj Ndreca edhe pse tre ditë më parë qëlluan me grusht kryetarin e Komisionit Parlamentar të Ligjeve, njëherazi deputet i Partisë Demokratike, z.Ilir Rusmali. Gjyqtari i gatshëm për masat e sigurisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, me kërkesë të përfaqësuesit të akuzës, vendosi lirimin nga qelia e dy ish-të përndjekurve politik Bejko dhe Ndreca, duke caktuar ndaj tyre masën e sigurisë detyrim për paraqitjeje pranë institucionit të Prokurorisë.
Ishte prokurori i çështjes Ervin Karanxha, i cili lexoi kërkesën për vleftësimin e arrestit dhe caktimin e masës së sigurisë para gjyqtarit Kreshnik Omari, duke kërkuar nga ky i fundit të urdhëroi lirimin e menjëhershëm nga qelia e dy ish-të përndjekurve politik. Gjyqtari Omari, pasi dëgjoi parashtrimet e prokurorit Karanxha, pretendimet e mbrojtësve ligjor dhe fjalën e dy ish-të përndjekurve politik, vendosi lirimin e tyre nga qelia deri në përfundim të hetimeve. Ndaj dy ish-të përndjekurve, prokuroria ka ngritur dyshimin për konsumimin e elementëve të veprës penale të goditjes për shkak të detyrës. Por, sipas pretendimeve të djeshme të ngritura në seancë gjyqësore, kjo vepër penale nuk mund të qëndrojë, pasi ndaj dy ish-të përndjekurve nuk ka një kallëzim penal apo ankim nga vetë i dëmtuari Rusmali.
Mungesa e këtyre dy veprimeve procedurale, kanë bërë që prokuroria të kërkoi lirimin nga qelia e dy ish-të përndjekurve politike deri në sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Në rastet kur një person akuzohet për goditje për shkak të detyrës, atëherë në dosjen hetimore duhet patjetër të jetë i administruar kallëzimi penal i të dëmtuarit (apo ankimi) dhe raporti i ekspertëve të Mjekësisë Ligjore të cilët konstatojnë dëmtimet e marra nga goditja. Në rastin konkret, në dosjen që ka referuar policia, asnjëra nga këto dy veprimet hetimore nuk ndodhen në dosje. Kështu që ende nuk dihet se: si dhe me çfarë e ka goditur shtetasi Lirak Bejko deputetin e PD-së Rusmali, ku e ka goditur, çfarë dëmtimesh i ka shkaktuar kjo goditje e pyetje të tjera që duhet ti përgjigjen ekspertët e Mjekësisë Ligjore-, thuhet në pretendimet e ngritur dje në seancën gjyqësore, nga prokurori, mbrojtja, vetë të dyshuarit dhe gjyqtari i masave. Gjithashtu, mësohet se vetë Rusmali, viktima e kësaj dhunë verbale, nuk është paraqitur në polici apo prokurori për të bërë kallëzim penal ndaj dy ish-të përndjekurve politik dhe as nuk është paraqitur pranë ekspertëve të Mjekësisë Ligjore, për të vlerësuar dëmtimet e marra nga grushtet e shtetasit Bejko. Sipas prokurorisë që relatoi në seancën gjyqësore, gjatë ditëve në vijim, do të sqarohet pozicioni i secilit nga të dyshuarit dhe rrethanat e ngjarjes, pasi deri më tani në dosje ndodhet vetëm relacioni i policisë për arrestimin në flagrancë të dy të dyshuarve. Nëse në ditët në vijim vetë deputeti i PD-së Rusmali, viktima e kësaj dhune, nuk paraqitet për të bërë kallëzimin penal, dy ish-të përndjekurit mund të lirohen edhe nga akuza dhe ndaj tyre të pushohet çështja penale.
Ngjarja
Paraditen e datës 16 Shkurt 2012, aty rreth orës 10:30 minuta në rrugën Xhorxh Bush, konkretisht në kryqëzimin mes selisë së ish-të përndjekurve politike dhe Parlamentit, shtetasi Lirak bejko goditi me gusht shtetasin Ilir Rusmali me detyrë deputet i Partisë Demokratike. Rrahja ka ndodhi, në momentin kur një grup ish-të përndjekur politik po kryenin homazhe mortore pranë arkivolit të shtetasit Grigor Zaharisë, një ish i përndjekur, i cili prej 20 ditësh kishte mbetur në morgun e Tiranës pasi nuk kishte të afërm për ta varrosur. Në këtë kohë, aty pranë rrugicës së Parlamentit po kalonin deputetet e PD-së, Fatos Hoxha dhe Ilir Rusmali. Sapo Bejko ka parë Rusmalin ka vrapuar në drejtim të tij dhe e ka qëlluar me grusht. Në këto momente, kanë ndërhyrë efektivët e policisë duke e arrestuar. Në ndihmë të shokut të tij ka shkuar edhe ish-i përndjekuri tjetër Gjergj Ndreca, i cili edhe ai është arrestuar. Arsyeja pse Rusmali ishte zgjedhur nga i përndjekuri Bejko për të qëlluar me grusht, ishte fakti se i ati i tij Çajup Rusmali ka qenë anëtarë i strukturave kryesore të PPSH-së në kohën e komunizmit.
Rasti Tahiri, policia vepron me dy standarde
I çuditshëm është fakti, se efektivët e policisë së Komisariatit nr. 1 në rastin e goditjes së Kryetari të Komisionit Parlamentar të Ligjeve dhe deputetit të Partisë Demokratike z.Ilir Rusmali kanë ndërhyrë duke arrestuar dy agresorët Lirak Bejko dhe Gjergji Ndreca. Duke i akuzuar edhe pa marr kallëzimin nga vetë deputeti për goditje për shkak të detyrës. Veprimi i policisë, siç duket është bërë me iniciativën e saj. Ndërkaq, vetëm pak muaj më parë ishim të gjithë dëshmitarët e një skenë të tillë, ku viktimë e dhunës ishte deputeti i Partisë Socialiste Sajmir Tahiri. Ky i fundit, së bashku me disa të rinj po protestonte pranë Ministrisë së Brendshme, kundër një vendimi të Bashkisë së Tiranë për vendosjen e shtëpizave të drurit në një nga rrugët e kryeqytetit. Ndaj deputetit dhe protestuesve u ushtrua dhunë nga dy të rinj, që mendohet se ishin të afërme të fituesit të tenderit të vendosjes së atyre shtëpizave, por, në asnjë rast policia nuk ndërhyri që ti arrestonte duke u justifikuar se nuk kishte kallëzim nga deputeti. Ndërsa, në rastin Rusmali edhe pse nuk kishte një kallëzim, efektivët e policisë i arrestuan dy ish-të përndjekurit dhe dosjen e tyre e dërguan në prokurori për ndjekje penale. Ky fenomen shqetësues, i dy standardizimit, prej kohësh është bërë shqetësim në opinionin publik pasi ligjin nuk e inetepretojnë të barabartë për të gjithë por siç i duhet pushtetarëve.