500 mijë lekë për transport hashashi, pranga 7 vetave

Nje prej makinave te sekuestruara
Xhaxhai dhe dy vëllezërit rekrutonin njerëz për 500 mijë lekë, të transportonin hashashin nga Lazarati në Sarandë dhe drejt Greqisë
A.Peçi / D.Biçaku
Vëllezërit dhe xhaxhai arrestohen për trafikimin të lëndëve narkotike. Kishin punësuar posaçërisht njerëz, për të transportuar lëndën narkotike nga Lazarati në drejtim të Sarandës, ku edhe u kapën nga policia e këtij qyteti e cila i hetonte prej disa muajsh. Aleks Nanaj, 29 vjeç, Andrea Nanaj , 27 vjeç, të dy nga Delvina, banues në Sarandë, si dhe xhaxhai I tyre Gjergji Nanaj, 45 vjeç, nga fshati Kopaçëz i Delvinës, u arrestuan nga Drejtoria e Policisë së Vlorës dhe komisariati i Policisë së Sarandës, me akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike në bashkëpunim. Sipas hetuesve lënda narkotike, blihej në Lazarat dhe më pas sillej në Sarandë. Bashkë me ta, policia arrestoi edhe Maridon Dhuli, 22 vjeç, banues në Fterrë të Sarandës, Besnik Kasaj, 25 vjeç, banues në Lukovë, vëllanë e tij, Afrim Kasaj , 32 vjeç, nga Lukova, Petrit Halimin, vjeç 21, banues në Mallakastër. Në kërkim, policia shpalli Sobiel Dhulin, vjeç 19, nga Fterra e Sarandës. Policia tha se: Arrestuan në flagrancë 7 persona dhe u shpall në kërkim një i tetë. Gjatë operacionit janë sekuestruar edhe 250 kg kanabis, ndërsa u bllokuan tri automjete me të cilat kryhej transporti. Nga hetimet e policisë, ka rezultuar se këta persona transportonin Cannabis Sativa me kafshë (kuaj) nga fshati Lazarat nëpërmjet malit të Sopotit deri në fshatin Kopacëz, me qëllim për ta trafikuar më pas në drejtim të Greqisë. Sipas policisë, nga hetimet ka rezultuar gjithashtu se ky grup ka kryer aktivitet kriminal edhe në raste të tjera të mëparshme dhe se organizatori i këtij trafikimi është shtetasi Aleks Nanaj i cili, nëpërmjet vëllait të tij shtetasi Andrea Nanaj rekrutonte shtetas të ndryshëm kundrejt pagesës (50 mijë lekë) për të realizuar transportin e lëndë narkotike. Policia më tej tha se po verifikon në zyrat e hipotekës, të Agjencisë së Legalizimeve dhe në banka për të mësuar më tepër mbi pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të vëna nga këta persona. Sipas policisë, vetëm xhaxhai i vëllezërve Nanaj me profesion bari, kishte më tepër se 300 kokë dele, për të cilat policia tha se ende nuk ka ndonjë provë që fakton se ato janë vënë nëpërmjet veprimtarisë së paligjshme, por se ky fakt i tillë po verifikohet bashkë me pasuri të tjera të mundshme.