Topalli mbledh të rinjtë e Tiranës, mesazh kundër dhunës
Gjimnazistët dhe nxënësit e Tiranës i janë bashkuar dje fushatës sensibilizuese kundër dhunës, të ndërmarrë nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Në ambientet e Kuvendit, Topalli organizoi një aktivitet të gjerë ku kishte ftuar mjaft të rinj nga qyteti i Tiranës, nga ku lëshoi mesazhin e saj se duhet të luftojmë së bashku dhunën. Topalli tha se shoqërisë i duhet një edukim kundër dhunës. “Unë ju ftoj juve sot të ndërmerrni një aksion të ri, të bëheni pjesë e një fushate për një Shqipëri pa dhunë. Ta nisim nga gjërat më të thjeshta: të mos shajmë, të mos fyejmë, të mos ngremë dorën, të mos prekim armën. Të respektojmë nënën, ta duam motrën, ta çmojmë shoqen. Gjinia nuk është vlerë, ajo s’të jep prioritet”, - tha Topalli përpara të rinjve. Ajo tha më tej se shoqëria do të ketë një optimizëm në rast se mposhtim dhunën dhe afrojmë vlerat demokratike. “Dashuri dhe jo dhunë, ky është aksioni ku unë ftoj sot të gjithë të rinjtë, optimizmi i të cilëve tek e nesërmja është më i madh se i çdokujt tjetër. Dhe një e nesërme ku respektohen vlerat e barazisë, demokracisë dhe të jo dhunës, besomëni, është shumë më e bukur”, - u shpreh kryetarja e Kuvendit. Me këtë mesazh u bashkua edhe këngëtarja e njohur Manjola Nallbani. “Çdo brez nga ne ka luftuar për një botë pa dhunë, por sot ju keni privilegjin e veçantë që gjendeni në këtë sallë dhe me përkrahjen e kryetares së Kuvendit ta përcillni këtë mesazh, më fort dhe më thellë në mentalitetin e njerëzve. Për ju ky takim do të mbetet gjatë në kujtesë, si një ngjarje e rëndësishme për një mision shumë fisnik: Të gjithë kundër dhunës”, - tha Nallbani. Mesazhin kundër dhunës, nxënësit e Liceut Artistik e përcollën nëpërmjet një ekspozite me piktura në kavaleta. Kryetarja e Kuvendit ndau dhe tri çmimet e para për nxënësit e Liceut Artistik në ekspozitën e pikturës që ata organizuan gjatë kësaj seance të veçantë.
Meta, takim me ambasadorin holandez
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta, priti ditën e djeshme në selinë e LSI-së ambasadorin e Mbretërisë së Holandës z. Henk G. C. van den Dool, ku u fol në lidhje me zhvillimet e fundit politike. Meta e njohu ambasadorin holandez me shqetësimin e tij për ndryshimet e bëra në Kushtetutë që sipas tij, kanë cenuar ekuilibrat e pushteteve, mbifuqizimin e rolit të Kryeministrit dhe tkurrjen e kompetencave të Presidentit të Republikës. Kreu i LSI-së i shprehu ambasadorit holandez shqetësimet e LSI-së edhe për miratimin Kodit të ri Zgjedhor, veçanërisht kontestimin mbi atë pjesë të Kodit, e cila ka të bëjë me administrimin e zgjedhjeve, që sipas Metës, ka anashkaluar parimet dhe standardet demokratike të kërkuara me forcë nga OSBE-ODIHR-i, për barazinë e çdo subjekti politik. Njëkohësisht, Ilir Meta e njohu diplomatin e lartë holandez me hapat që do të ndjekë në vazhdim LSI-ja në lidhje me sensibilizimin e opinionit vendas dhe faktorit ndërkombëtar, që sipas Metës, duhet të jetë një faktor garantues për parandalimin e skenarëve për manipulimin e zgjedhjeve.