E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli pret Gjukanoviçin, diskutohet për Kosovën dhe ekonominë

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti dje Kryeministrin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, ku theksi kryesor i këtij takimi ra mbi çështjen e Kosovës, si dhe rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve. “Pavarësia e Kosovës ka krijuar një realitet të ri stabiliteti në rajon dhe çdo plan për ndarje mbi baza etnike është një rrezik serioz për stabilitetin e Ballkanit”. Kjo ishte deklarata e përbashkët që shpërndau zyra e shtypit, që dy personalitetet bënë për çështjen e Kosovës. Topalli dhe Gjukanoviçi ndanë të njëjtin mendim kundër planit gjashtëpikësh dhe kërkuan shtrirjen menjëherë në të gjithë Kosovën të misionit EULEX. Kryetarja e Kuvendit falënderoi Kryeministrin malazez për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Nga ana e tij, Kryeministri Gjukanoviç tha se Mali i zi e njohu Kosovën, i bindur se kjo çështje ishte zgjidhur një dekadë më parë dhe thjesht u konfirmua formalisht. Biseda mes kryetares së Kuvendit dhe Kryeministrit të Malit të Zi u ndal gjerësisht edhe në intensifikimin e bashkëpunimit mes dy vendeve. Njëkohësisht, kryetarja e Kuvendit shprehu kënaqësinë për realizimin e tenderit të rrugës Shkodër - Hani i Hotit, duke shtuar se edhe lidhja përmes liqenit të Shkodrës është shumë e veçantë e duhet pasur në vëmendje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›