Reshjet, përmbyten fshatrat e ultësirës së Shkodrës e Lezhës
SHKODËR/LEZHË - E gjithë ultësira veriperëndimore e vendit gjendet në ujë. Mijëra banorë janë të rrezikuar, pasi ujë ka vërshuar në banesat e tyre, që nga mbrëmja e djeshme. Shkak janë bërë reshjet e shumta që kanë çuar mandej në hapjen e portave të hidrocentraleve. Ndërkohë, raportohet edhe për një baticë deti në Shëngjin.
***
Rreth 35 ha tokë bujqësore në zonën e Nënshkodrës është nën pushtetin e ujit si pasojë e reshjeve të ditëve të fundut dhe hapejes së portave shkarkuese të hidrocentraleve të kaskadës së Drinit. Fshtra të komunave Ana e Malit, Berdicë, Dajç, Velipojë etj., janë më të prekurit, pasi toka bujqësore është mbuluar nga uji. Fryrja e lumenjëve Drin e Bunë dhe hapja e tunelit të shkarkimit në hidrocentralin e Vaut të Dejës, ose ajo që njihet me emrin porta e Zadejës ka sjellë situatë emergjence në zonën e Nënshkodrës. Gjatë natës së të hënës dhe ditës së sotme, shtabi i emergjencave civile në Prefekturë dhe drejtori i përgjithshëm i emergjencave civile, Alfred Olli kanë qenë të pranishëm në zonën e Nënshkodrës ku kanë monituruar situatën dhe marrë masat e nevojshme në rast se përmbytjet do përfshinin dhe banesat. Gjatë paradites së të hënës ato kanë inspektuar të gjitha zonat që konsiderohen si pika të rrezikshme dhe janë takuar me banorët që kan shprehur kërkesat e tyre lidhur me sigurinë nga mos përmbytjet. Banorët e fshatit Mushan në komunën e Dajçit, i kanë kërkuar autoriteteve një fadrome në fshatit të tyre, për të ndërhyrë në rast nevoje, pasi argjinatura e lumit Buna ka probleme amortizimi. "Kjo argjinaturë është ndërtuar më 1964 dhe ka patur rikonstruksione të pjesshme. Më 2004 e pranverë 2005 kemi patur shumë përmbytje", thonë ata. Sipas banorëve të zonës së Nënshkodrës, ata kajmërohen kur hapen portat por sugjerojnë që shkarkimet e ujit të bëhen pjesë - pjesë e jo të gjitha njëherësh.
***
Problematike përsa i përket përmbytjeve mbetet edhe zona e Lezhës, ku ditët e fundit qindra shtëpi e mijëra hektarë janë nën ujë. Mësojmë se hapja e portave të hidrocentralit të Ulzës dhe të Shkopetit ka ndikuar në rritjen e nivelit të ujit, por nuk ka qenë ky shkaktari i përmbytjeve. Sipas banorëve uji që ka vërshuar në banesat dhe tokat e tyre ka qenë ujë me kripë, pra ujë deti. Sipas emergjencave civile, përmbytjet në zonën e Lezhës kanë ardhur si pasojë e baticës së detit, mbrëmjen e së dielës. Uji që ka vërshuar në tokat e mbjella i ka shkatërruar totalisht ato, pasi aktualisht ka rreth një metër ujë mbi tokë në gjithë këtë ultësisë. Nëper banesa disa pajisje janë prishur, ndërkohë që sipas fshatarëve mjaft problem janë edhe bagëtitë që kanë mbetur pa ushqim pasi janë kalbur grazhdet që ata kishin grumbulluar për to.
Ndërkohë prurjet e shumta të ujrave kanë dëmtuar shtyllat elektrike të cilat furnizonin me energji hidrovorin, qe është jashtë funksionit duke bërë më problematike situatën në zonën e plazhit të Tales.
***
Zyra e Shtypit pranë Kryeministrit Berisha deklaron se situata është emergjente dhe thotë se janë marrë këto masa:
"Reshjet e mëdha të ditëve të fundit kanë sjellë rritje shumë të madhe dhe të shpejtë të nivelit të ujit në digat e kaskadës së Drinit, por edhe të Matit. Kështu, sot gjatë ditës, prurjet më kaskadën e Drinit po shkojnë në rreth 4 mijë metër kub në sekondë. Vau i Dejës dhe Koman po shkojnë drejt niveleve maksimale. Kjo situatë ka imponuar shkarkimin nga tunelet e sigurisë në Koman, Vaun e Dejës, por edhe në Ulëz", thuhet në njoftim. Duke vijuar se "Kryeministri Berisha po ndjek vazhdimisht situatën, si me Ministrinë e linjës, ashtu edhe me autoritetet vendore. Deri tani nuk ka përmbytje. Kryeministri ka urdhëruar Ministrin e Brendshëm që të dërgojë drejt zonave të rrezikuara emergjencën civile, si dhe Ministrin e Mbrojtjes për dërgimin në këto zona të reparteve të Xhenjos. Kryeministri ka kërkuar hartimin e planeve për evakuimin e banorëve në rast nevoje. Situata është nën vëzhgim të pandërprerë dhe në kontroll të plotë".