E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekzekutimi i emigrantit në Fier, arrestohen edhe 2 persona të tjerë

Forcat e Policisë kanë arrestuar edhe 2 persona të tjerë në lidhje me vrasjen e 32-vjeçarit që u gjet i vdekur në fshatin Levan. Pas arrestimit të 18-vjeçarit Mico Osmani, në pranga kanë rënë edhe Romeo Osmani dhe Sotir Hajdini.
18-vjeçari Osmani, u vu në prangat e policisë, të shtunën në banesën e tij, ndërkohë, që 2 të arrestuarit e tjerë u vunë në pranga mëngjesin e së hënës. Dy të rinjtë u vunë në prangat e policisë në rrethin e Gjirokastrës, në tentativë për të kaluar kufirin drejt Greqisë.
Ndërkohë, mësohet se në pranga është vënë edhe Thanaq Sabedinaj, i cili akuzohet për mbështetje të autorëve të krimit.
Mësohet se Sabedinaj po ndihmonte 2 adoleshentët të kalonin ilegalisht drejt Greqisë. Arrestimet u kryen në kuadër të operacionit të koduar "Tuneli". Policia ka arritur të sekuestrojë edhe armën e zjarrit, një pushkë Model 56.
Ndërkaq, mësohet se gjatë marrjes në pyetje, 18 vjeccari Osmani ka pranuar vrasjen e Hazizajt duke shtuar se e ka bërë për hakmarrje.
18-vjeçari Osmani, mësohet se ka deklaruar se Hazizaj i ekzekutoi të atin në vitin 1997. Trupi i 32-vjeçarit u gjet dy ditë më parë pranë ish tunelit të tankeve në Levan të Fierit. Sipas hetimeve të para rezulton se para vrasjes 32-vjeçari është grabitur. Sipas policisë, tre adoleshentët kishin përdorur mjetin e 32-vjeçarit për tu larguar nga vendi i ngjarjes.
Mjeti u braktis rreth 2 kilometra larg vendit ku u gjet i vdekur Hazizaj. Në vendin e ngjarjes policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale 10 gëzhoja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›