E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli merr garancinë e Hungarisë për Integrimin në BE

Kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli ka marrë garanci nga Kryetari i Parlamentit të Hungarisë, se do të mbështesë vendin tonë në rrugën e integrimit europian gjatë Presidencës së rradhës së BE.
Gjatë pjesëmarrjes në Konferencën e katërt rajonale të Kryetarëve të parlamenteve të Ballkanit Perëndimor, kryeparlamentari hungarez Bela Katona ka siguruar Topallin se vendi i tij do të vazhdojë të jetë një avokat i proceseve integruese të Ballkanit Pernëdimor e veçanërisht Shqipërisë. Hungaria është e para që ratifikoi protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, ndër të parat që ratifikoi MSA-në.
Në konferencë është nënvizuar fakti se anëtarësimi i Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO ka sjellë një ndryshim të thellë në strukturimin e sigurisë së rajonit, ndaj përshpejtimi i integrimit të këtij rajoni në strukturat Euro-Atlantike është i rëndësishëm jo vetëm për Ballkanin, por edhe për vetë Bashkmin Europian dhe NATO-n.
Në fjalën e saj kryetarja e Kuvendit Topalli ka parashtruar përpara përfaqësuesve të vendeve anëtare të konferencës, prioritetet e mandatit të ri qeverisës të koalicionit të djathtë ku më të rëndësishme shihen liberalizimi i vizave dhe integrimi në Be. Avokatinë e Hungarisë për integrimin e Shqipërisë në BE, Kryetari i ri i Parlamentit të Hungarisë Bela Katona ia konfirmoi Kryetares së Kuvendit edhe në takimin e veçantë të rezervuar.
Kryeparlametari hungarez ka deklaruar se Shqipëria do t’i ketë dyert të hapura për liberalizimin e vizave, duke siguruar jo vetëm mbështetjen e Hungarisë si vend i BE-së, por edhe influencën në vende të tjera europiane për përshpejtimin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashimin Europian. Katona ka garantuar se Hungaria do të bëjë lobing për këtë çështje. Për të është domosdoshmëri anëtarësimit i Shqipërisë në familjen ku i takon të jetë, e veçanërisht ai ka garantuar se do të mbështesë fuqimisht liberalizimin e vizave për një vend që ka vuajtur një kohë të gjatë në izolim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›