Dekretet e Topit, PD ndryshon procedurën në Kuvend

Pas reagimit të ndërkombëtarëve, PD ka vendosur që dekretet e Topit për gjykatat të kalojnë në një procedurë me transparente
TIRANË - Presioni i faktorit ndërkombëtar për më shumë transparencë në emërimet në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë duket se kanë dhënë efektet e para pozitive.
Mazhoranca e djathtë ka vendosur të reagojë ndaj shqetësimeve të shprehura nga ambasadorët në Shqipëri për rastin e rrëzimit të kandidaturës së gjyqtarit Vangjel Kosta dhe të modifikojë procedurën parlamentare të dhënies së pëlqimit për tre emërimet e reja, por kësaj here në Gjykatën e Lartë.
Me propozim të deputetit Viktor Gumi, Komisioni i Ligjeve ka vendosur që për dhënien e pëlqimit të kandidaturave të Sokol Çomos, Vexhi Muçmatajt dhe Medi Bicit, të realizohet një proces më i gjerë dhe i thellë konsultimesh dhe pyetje përgjigjesh me vet kandidatët, ndërsa prej tyre do të kërkohet paraprakisht një dosje e plotë e veprimtarisë së tyre që nga formimi i tyre juridike, veprimtaria e tyre profesionale dhe pse jo dhe tek aktiviteti politik.
Procedura
Diskutimin e çështjes së emërimeve në Gjykatën e Lartë e ka hapur deputeti Ilir Rusmali, i cili ka informuar deputetët e tjerë se dekretet e kreut të shtetit kishin mbërritur në Komisionin e Ligjeve dhe se diskutimi i tyre mund të bëhej vetëm javën e ardhshme, duke specifikuar të mërkurën e datës 10 qershor.
Duke marrë shkas nga çelja e një diskutimit të tillë, deputeti Viktor Gumi ka ndërhyrë dhe ka kërkuar nga komisioni që në respekt edhe të kërkesave për më shumë transparencë, të mund të realizohej një proces më i gjithanshëm konsultimi me kandidaturat, që propozohen nga presidenti për në këtë gjykatë. Sipas Gumit, janë të gjitha mundësitë që komisioni të vendosë një praktikë më të avancuar për shqyrtimin e kandidaturave.
"Ne natyrisht të kemi mundësinë për të parë në detaje dhe në thellësi për të krijuar mundësinë e një bashkëbisedimi ashtu sikundër edhe një raporti reciprok që mund të krijohet mes anëtarësisë së komisionit dhe kandidatëve përkatës për t'ju përgjigjur pyetjeve të deputetëve, për të paraqitur apo shpalosur mendimet e tyre përpara komisionit dhe në fund të fundit për të arritur në atë zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka të bëjë me atë që Komisioni për të tillë kandidat nuk jep vetëm anën formale, por edhe meritën e zgjedhjes së tyre.
Kështu që kërkesa ime në këtë aspekt nuk është se ka të bëjë me një procedurë konkrete, por fillimit të kësaj procedure t'i dedikohet koha e mjaftueshme, operacionet e mjaftueshme që ndoshta ky komision mund të vendosi në të ardhmen për të mundësuar një zgjedhje merite dhe të saktë nga ana e parlamentit", - tha Gumi, ndërsa ka theksuar se në këtë mënyrë deputetët e komisionit me anë të pyetjeve më të gjithanshme mund të marrin vizionin e kandidatëve për çështjet që kanë të bëjnë me reformën në drejtësi, çështjet e korrupsionit në sistemin e drejtësisë, por edhe për t'i njohur ata më mirë.
Dosja
Deputeti tjetër demokrat Dashnor Sula ka çuar edhe më tej propozimin e Gumit, ndërsa ka theksuar nevojën që deputetët të njihen në mënyrë të hollësishme mbi personalitetin dhe të shkuarën e çdo kandidati.
Për këtë Sula ka propozuar që për secilin kandidat të realizohet nga një dosje respektive dhe jo vetëm një CV siç edhe është vepruar deri më tani, në mënyrë që deputetët njihen për të shkuarën e tyre para se të vendosin për dhënien e pëlqimit.
"Ne duhet të dimë për karrierën e tyre, të dimë për dhëniet e vendimeve nga ana e gjyqtarëve nëse kanë qenë vendime të drejta, sa vendime kanë mbetur në fuqi, sa shfuqizime, ose edhe për prokurorët
Kështu që i bie që ne të na vihet në dispozicion nga këshilltarët e komisionit apo nga strukturat e tjera të Kuvendit që të kemi një informacion të plotë për secilin kandidat.
Jo të mjaftohemi vetëm tek CV-ja e paraqitur nga kandidati që thotë se ka mbaruar studimet nga ky vit në atë vit, por duke mos dhënë as diplomën, as listën e notave, as veprimtaria e tij politike apo profesionale", - tha Sula.
Ndërkohë që për përgatitjen e listës së dokumenteve dhe informacionit që do të kërkohet nga secili kandidat komisioni ngarkoi këshilltarët e vet.