E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli ne Gjermani me ftese te Bundestagut gjerman

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, gjatë vizitës zyrtare në Gjermani, me ftesë të Bundestagur gjerman, ka zhvilluar një takim të veçantë me drejtues të Fondacioni Konrad Adenauer, ku mori pjesë edhe kryetari i grupit të miqësisë së Bundestagut, deputetit gjerman Kiseveter. Deputeti Kiseveter bëri një prezantim të Kryeparlamentares Topalli dhe rolit të saj balancues në Parlament. Zonja Jozefina Topalli, tha ai, ka kaluar momente të vështira si Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë për shkak të bllokimit që opozita i ka bërë Parlamentit. Deputeti gjerman, në një intervistë dhënë për Dojçe Vele, ka folur edhe mbi procesin kushtet që duhet të plotësojë Shqipëria për integrimin europian. Sipas tij, të gjitha partitë në parlamentin e Shqipërisë duhet ta kuptojnë se bashkëpunimi është më i mirë se përplasja.
Nga ana e saj, kryetarja e Kuvendit, në fjalën e saj është përqendruar kryesisht në ekonominë shqiptare. Sipas saj, në këtë kohë të një situate komplekse globale të një krize financiare të borxheve dhe ekonomike, Shqipëria vazhdon të ketë rritje ekonomike. Topalli theksoi se qeverisja e vogël, liria ekonomike, reduktimi i licensave, taksat e ulta, privatizimet, koncesionet, investimet në infrastrukturë, lehtësitë në hapjen e biznesit, rritja e konkurrencës, mundësitë dhe resurset e rëndësishme natyrale të Shqipërisë kanë bërë të mundur që ky vend të ketë rritje të ardhurash dhe mbajtjen nën kontroll të borxhit.
Gjatë qendrimit në Gjermani, kryeparlamentarja Topalli u takua edhe me ministren e shtetit në Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme, Cornelia Pieper. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit pranë Kuvendit, ministrja gjermane është shprehur e gëzuar me progresin e bërë nga Shqipëria gjatë këtyre viteve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›