E Diel, 1 Nëntor 2026

Raportuesi i CDU-së: Shqipëria arritje gjatë 20-viteve

Raportuesi i CDU-së për Shqipërinë, Roderich Kiesewetter ka vlerësuar arritjet e Shqipërisë gjatë 20-vjeçarit të fundit, por thekson se ajo ende ka shumë hapa për të bërë. Në një intervistë ekskluzive për Deutsche Wellen, raportuesi i CDU-së thekson se duhet të luftohet korrupsioni në shoqërinë shqiptare, krimi i organizuar dhe që të sundojë shteti juridik si në gjyqësi ashtu edhe në shëndetësi.

“Sigurisht që është e rëndësishme që në BE të njihen përparimet e mëdha që ka bërë Shqipëria, por kjo nuk do të thotë se nuk duhen bërë edhe shumë hapa të tjera përpara. Duhet të luftohet korrupsioni në shoqërinë shqiptare, krimi i organizuar dhe që të sundojë shteti juridik si në gjyqësi ashtu edhe në shëndetësi.Është mbresëlënëse ajo çka ka ndodhur në 20 vitet e fundit në Shqipëri, por Shqipëria nuk ka arritur aq sa për t`u bërë kandidate. Të gjitha partitë në parlamentin e Shqipërisë duhet ta kuptojnë se bashkëpunimi është më i mirë se përplasja. Vetëm kështu Shqipëria do të arrijë atë pjekuri politike që i nevojitet për anëtarësim në BE" ka shtuar Kiesewetter.

I pyetur se si mund ta arrijnë partitë shqiptare bashkëpunimin, Kiesewetter ka theksuar se ajo çka ka vlerë, është që të rinjtë e Shqipërisë të dalin jashtë e të udhëtojnë.

“Ka kaq shumë të rinj me shkollë, që janë kualifikuar jashtë shtetit: Ata duhet të kenë një shans që të punojnë në shtet në mënyrë afatgjate e jo të nxirren nga puna mbas një gjysmë ose një viti kur të ndryshojë administrata. Është me rëndësi që të ndërtohet një aparat i mirë nëpunësish e që sipërmarrjet të kenë punonjës të cilët nuk e ndërrojnë shpesh vendin e punës. Për shembull, një i ri shtroi këtu pyetjen, se sa nga të rinjtë që janë shkolluar jashtë shtetit kanë pasur rastin që të marrin përsipër përgjegjësi në Shqipëri. Shifrat duhet të thuhen hapur. Çështja tjetër është se kur investojnë firmat e huaja e kur ka ndonjë gjë që s`ecën, të mos u duhet të paguajnë më shumë para nëpër ca fonde ndihmëse, por të kenë shansin që sipas të drejtës dhe ligjit të hyjnë në treg dhe të shesin prodhimet e tyre” ka shtuar ai.
 

Ndërsa është pyetur në lidhje me retorikën mes pozitës dhe opozitës, Kiesewetter theksoi se një retorikë më komunikuese është më e mirë se konfrontimi i përhershëm e i ashpër.
 

"Këtu duhet parë edhe temperamenti: Në Ballkan flitet më troç se në Evropën Qendrore a në Francë, ku kritika shprehet me shumë mirësjellje. Në Ballkan historikisht gjërat janë thënë më hapur, kjo është e vërtetë, por kjo retorikë e ashpër nganjëherë has në moskuptimin e fqinjëve. Por ajo edhe për ne, gjermanët, shpesh është e pakuptueshme: Ne mendojmë se kush sillet kaq ashpër me njëri-tjetrin, nuk e ka shtrirë dorën ende. Kështu që një retorikë më komunikuese është më e mirë se konfrontimi i përhershëm e i ashpër. Unë mendoj se kjo është një çështje brezash" ka shtuar Kiesewetter.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›