Topalli në KE: Shqipëria, jo më histori mbijetese
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, ka mbajtur dje në mesditë një referat në Këshillin e Evropës, në Strasburg. Topalli ishte përzgjedhur nga organizatorët e konferencës politike të kryetarëve të parlamenteve të KE-së, si referuese kryesore, ndër 5 referuesit kyçë në këtë konferencë shumë të rëndësishme mbi ndërveprimin Parlament-shoqëri civile dhe promovimin e të drejtave të njeriut. Në fjalimin e saj, Topalli është ndalur në vlerat themelore: demokracinë, shtetin ligjor. Topalli tha se sot, pas 17 vjetësh ndarjeje nga regjimi totalitar, historia e Shqipërisë nga një histori mbijetese është shndërruar në një histori progresi. Me mbështetjen e vendeve mike, ne ushqyem ëndrrën evropiane, ecëm me ritëm përpara, realizuam reforma të guximshme dhe kjo në sajë të një lidershipi të fortë dhe vetëvendosje e përkushtim të fuqishëm. Duke vlerësuar misionin e Këshillit të Evropës në promovimin e besimit te demokracia, shteti ligjor dhe të drejtat e njeriut, Topalli e cilësoi atë si "Shtëpia e Demokracisë". Në përfundim të fjalës së saj, pasi paraqiti realitetin e ri në rajon, Kryetarja e Kuvendit shqiptar Topalli ka shprehur edhe njëherë dëshirën e të gjithë shqiptarëve që Kosova të bëhet së shpejti anëtare me të drejta të plota të Këshillit të Evropës.