E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD dhe aleatët: Të hapen dosjet e ish-sigurimsave

Rikthehet debati për hapjen e dosjeve të ish-sigurimsave. Partia Demokratike, por edhe aleatë të saj, kanë kërkuar që puna për hapjen e dosjeve të fillojë sa më shpejt. Ndërkohë që drafti për dosjet e spiunëve ndodhet në Kuvend dhe në seancat parlamentare ai shtyhet pas asnjë motiv. Për këtë arsye, PD-ja, por edhe aleatë të saj, kanë reaguar ashpër ndaj kësaj heshtjeje lidhur me dosjet e ish-spiunëve të kohës së diktaturës. Deputeti Aleksandër Biberaj është shprehur që "të hapen dosjet. Fakti që ato po pengohen, tregon se shumë deputetë sot kanë qenë pjesë e ish-Sigurimit". Partia Republikane shprehu sërish dje qëndrimin pro hapjes së dosjeve për bashkëpunëtorët e ish-Sigurimit të Shtetit. Kreu i grupit parlamentar të PR-së, Arian Madhi, tha se "ne republikanët jemi deklaruar plotësisht për të bërë një proces transparence në këtë drejtim, në përputhje me të gjitha rekomandimet e ndërkombëtarëve". "Qëndrimin tonë ne e kemi bërë publik me draftet e paraqitura në Kuvend", tha Madhi. Sipas tij, këto projektligje janë të përfshira eventualisht në axhendën e punës së Kuvendit dhe do të jepet kontributi në momentin që ato do të programohen. Ndërsa kryetari i Bashkimit Liberal Demokrat, Arian Starova, shprehu qëndrimin e kësaj force politike për hapje të dosjeve të periudhës së sistemit komunist. Starova tha se "është një proces që duhet të ishte bërë prej kohësh dhe do të ishte më e mira që të mos humbej më kohë në këtë drejtim, sepse këto dosje, janë pjesë e një debati publik, e një pakënaqësie dhe është një detyrë dhe një shqetësim i politikës së vërtetë shqiptare". Sipas tij, nuk duhet më të spekulohet me këto dosje. "Është mirë që të hapen dhe kam besim që meqenëse kjo nismë është tashmë në duart e Kuvendit, dhe për këtë është prononcuar disa herë dhe Kryetarja Topalli, besoj që do të jetë një proces që do të nisë së shpejti", tha Starova. Duke u ndalur te rezoluta e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë për këtë çështje në vitin 2006, kreu i BLD-së tha se "rezoluta ka konfirmimin që duhet të hapen dosjet, por nga rezoluta deri në hapje duhet bërë një hap tjetër, duhet bërë një ligj, duhet të merret një nismë ligjore dhe besoj që PD-ja, si partia më e madhe e koalicionit të djathtë, duhet ta nisë". "Duke folur në emër të BLD-së, ne do të japim mbështetje të plotë për këtë", garantoi Starova.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›