E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli në Qipro, lobim për lëvizjen e lirë

Sipas njoftimit për shtyp nga Kuvendi, Topalli u takua me kryetaren e Dhomës së Lordëve, Baroneshën Helen Hayman dhe nënkryetarin e Dhomës së Ulët, Sir Alan Haselhurst.

Kryetarja e Kuvendit, pasi i njohu zyrtarët britanikë për ecurinë e Shqipërisë gjatë viteve të fundit në kuadër të proceseve integruese, u ndal tek zgjedhjet e 28 qershorit, të cilat siç tha ajo "u kualifikuan nga "arbitri ndërkombëtar" si zgjedhje të standardeve të OSBE-së".

"Ky ishte procesi më i mirë dhe më transparent, që shqiptarët kanë pasur në 20 vite. Për të arritur këtë transparencë numërimi i votave u bë përmes fotografimit, skanimit, filmimit dhe transmetimit online. Kjo ishte një gjë e re që ne arritëm në Shqipëri", tha Topalli.

Gjatë qëndrimit në Qipro, Topalli u takua dhe me kryetarin e Parlamentit të Sllovenisë, Pavel Gantar me të cilin bisedoi për heqjen e vizave. "Sllovenia do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë në të gjitha përpjekjet e saj drejt BE-së dhe kjo mbështetje nuk do të mungojë as në heqjen e vizave. Integrimi dhe liberalizimi i vizave shkojnë paralelisht, ndaj ne e konsiderojmë prioritet heqjen e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën. Ne nuk do e lidhim këtë çështje me situatën politike në Shqipëri, pasi ato nuk mund të lidhen bashkë", u shpreh Gantar.

Gjatë Konferencës së Kryetarëve të parlamenteve të PACE, kryetarja Topalli u takua dhe me Kryetarin e sapozgjedhur të Parlamentit të Hungarisë, Pal Schmitt. Hungaria është vendi që do të ketë presidencën evropiane pas një viti dhe Topalli gjeti rastin për t’i kërkuar dhe një herë mbështetjen e vendit të tij për Shqipërinë në marrjen e statusit të vendit kandidat dhe votën në Parlament për liberalizimin e vizave.

Kryeparlamentari hungarez e garantoi znj. Topalli se vendi i tij dhe Parlamenti hungarez do vazhdojë të mbështesë përpjekjet e mëdha që qeveria dhe shqiptarët, kanë bërë gjatë kësaj periudhe.

Kryetarja e Kuvendit u takua dhe me kryetarin e Parlamentit të Letonisë, Daudze, të Bullgarisë, Tsacheva dhe me kryetarin e Dhomës së Deputetëve të Italisë, Fini të cilëve iu kërkoi mbështetje për lëvizjen e lirë të shqiptarëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›