E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli në Shkodër për ditën e luleve

SHKODËR- Në ditën e dytë të "Festës së Luleve", një aktivitet tradicional ky për qytetin e Shkodrës, ishte e pranishme edhe Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli. E shoqëruar nga drejtuesit më të lartë të qeverisjes vendore dhe deputetët e Shkodrës, pasi është takuar përzemërsisht me bashkëqytetarët e saj që kishin mbushur sheshin qendror të qytetit të Shkodrës, Topalli ka vizituar nga afër disa prej pavioneve të Panairit të Luleve, Panairit të Pikturës, atij Artizanal, e më gjerë.

Gjatë bisedës me organizatorët ajo ka përcjellë falenderimet për të gjithë ato që kanë bërë të mundur këtë aktivitet dy ditor, i cili i ka dhënë një gjallëri të veçantë krejt qytetit të Shkodrës në kuadër të aktiviteteve që po zhvillohen për 100 vjetorin e Pavarësisë.
”Qyteti i Shkodrës e ka traditë këtë festë të veçantë që quhet festa e luleve", tha kreparlamentarja në një prononcim për mediat e pranishme.

Topalli tha se kjo ditë është e shoqëruar me një panair të prodhimeve të ndryshme, po në të njëtën kohë edhe me ekspozita të piktorëve të ndryshëm që janë jashtëzakonisht impresionuese dhe të veçanta, ku flet shpirti, e bukura, jeta, shpresa dhe optimizmi.
Në programin e ditës së dytë kushtuar festës së luleve, krahas funksionimit të panaireve të shumta, për të pranishmit kanë performuar edhe ekipet kombëtare të gjimnastikës të drejtuar nga trajneri, Vladimir Limaj, si dhe pjesëtarë të Cirkut të Tiranës duke e bërë edhe më të larmishme ditën e sotme. Ndërkohë, në orën 20.00 të mbrëmjes së sotme në program është koncerti i madh festiv me pjesëmarrjen e këngëtarëve dhe muzikantëve më të mirë të qytetit.
(BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›