E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli per Progres Raportin Bojkoti i opozites e la Shqiperine pa status

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, tha sot se bojkoti parlamentar i opozitës ia arriti qëllimit, duke e lënë Shqipërinë pa statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian.

"Si shqiptare u ndjeva keq, si kryetare e parlamentit kisha një dhimbje të madhe dhe mendoj se bojkoti i opozitës ia arriti qëllimit. Z.Rama ka pasur plotësisht të drejtë kur thotë se 'bojkoti ia arriti qëllimit', duke e lënë Shqipërinë pa status", u shpreh Topalli, duke komentuar Progres raportin e KE-së për Shqipërinë, të publikuar dy ditë më parë.

Gjatë një konference për shtyp me zv/presidentin e Bundestagut gjerman, Eduard Osëald, në përgjigje të interesimit të medias, Topalli tha se në parlament përgjatë dy viteve kanë kaluar 400 ligje, 400 reforma, por nuk kanë kaluar vetëm katër, që varen nga votat e opozitës.
"Historia e viteve të fundit flet për një Shqipëri që nuk është në recesion, edhe pse është e rrethuar nga kriza; një Shqipëri që ka rritje ekonomike 4 %, si dhe investime të huaja. Por, ka një problem, bojkoti, i cili ia arriti qëllimit. Për herë të dytë Shqipëria nuk ka status dhe do e paguajmë këtë sjellje të panevojshme, të papranueshme, që natyrisht ka koston e vet në këndvështrimin e të rinjve dhe qytetarëve në përgjithësi", nënvizoi kryeparlamentarja.

Sipas saj, çdo reformë që lidhej me votat e maxhorancës, është votuar dhe ka dhënë rezultat.

"Heqja e vizave kishte lidhje vetëm me votat e maxhorancës, sepse po të varej nga 3/5 e votave edhe të opozitës, siç varet statusi, shqiptarët nuk do të lëviznin dot pa viza", tha kryetarja e Kuvendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›