Ti japim një shkelm Perëndimit
Irani kërcënon
Udhëheqësi shpirtëror iranian Ali Khamenei premton “larje hesapesh” me të huajt që po përpiqen të përçajnë kombin
Në 11 shkurt, përvjetorin e dëbimit të Shah-ut, Irani do të lajë hesapet me Perëndimin dhe opozitën e brendshme. Ka qenë ky premtimi që bëri dje udhëheqësi shpirtëror i Republikës Islamike, Ali Khamenei, gjatë një fjalimi përpara aviacionit ushtarak iranian, që në 18 shkurt të vitit 1979 u deklarua i gatshëm që të jepte kontributin e vet në revolucion dhe të ndihmonte në ardhjen e ajatollahut Ruhollah Khomeini në atdhe. “Në datën 22 të kalendarit Bahman, kombi iranian u bashkua dhe me ndihmën e Zotit do t’i japë një shkelm arrogancës së Perëndimit, që do ta lërë pa mend”. Nuk është e qartë se kujt ë i referohej Khamenei me këtë deklaratë, por një gjë është e sigurt se qeveria ka vënë në kantier një seri ceremonish solemne. Për të evituar ndonjë surprizë, regjimi iranian ka nisur edhe një operacion shtrëngimi ndaj disidencës, e cila ishte e impenjuar në përgatitjen e kundërmanifestimeve të së enjtes (përvjetorit të largimit të Shah-ut). Dy ditë më parë u arrestuan shtatë anëtarë të opozitës, me akuzën për bashkëpunim me amerikanët me qëllim ndezjen e revoltave dhe rebelimeve, si ato të 17 dhjetorit të kaluar. Gjatë dy ditëve të fundit janë arrestuar edhe 10 gazetarë, duke iu shtuar 45 të tjerëve që ndodhen tashmë prapa hekurash. Shtatë anëtarë të tjerë të opozitës, për të cilët “Amnesty International” ka lançuar një apel, rrezikojnë dënime të rënda, dy prej tyre madje mund të varen. Khamenei u vuri vulën personale këtyre masave, duke ia atribuuar protestën e disidentëve, të dërguarve të huaj: “Objektivi më i rëndësishëm postzgjedhor ishte krijimi i një përçarjeje të kombit, por nuk arritën ta bëjnë këtë ,sepse uniteti i popullit tonë mbetet një gjemb i futur në sytë e tyre”.
Izraeli i kërkon ndihmë Rusisë
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, do të shkojë për vizitë në Moskë, për të bindur Kremlinin që të mbështetë sanksionet më të ashpra kundër Iranit, pasi mediat izraelite zbuluan se Izraeli ka dërguar dy anije ushtarake në Gjirin Persik. Vizita e tij treditore, e planifikuar javë më parë, ka për qëllim që të bindë zyrtarët në Rusi që t’i bashkohen fushatës së udhëhequr nga Perëndimi për sanksione të reja kundër Iranit, për shkak të vazhdimit të procesit të pasurimit të uraniumit. Një zyrtar izraelit, i cili deshi të mbetet anonim, deklaroi se Netanjahu do ta ketë mjaft vështirë që të joshë zyrtarët rusë, të cilët janë duke ndihmuar Iranin në ndërtimin e një reaktori bërthamor në qytetin Bushehër dhe të cilët deri me tani kanë ngurruar që të mbështesin përpjekjet për vendosjen e sanksioneve të reja kundër Iranit. Kjo do të jetë vizita e parë zyrtare e Netanjahut në Rusi, në cilësinë e kryeministrit. Në shtator të vitit të kaluar, ai zhvilloi një vizitë të fshehtë në Rusi, e cila zgjati më pak se 24 orë. Vizita e kryeministrit izraelit në Moskë vjen në momentin kur u zbulua informata se dy anije izraelite e kanë kaluar Kanalin e Suezit javën e kaluar dhe se pritet që këto anije gjatë ditëve në vijim të hyjnë në ujërat jugore të Iranit.
Sarah Palin kopjace!
Ish-guvernatorja, me shënime të shkruara në dorë
Pak kohë më parë ajo u tall me presidentin Barak Obama, duke thënë se është një burrë karizmatik, por me Telepromter (pajisje elektronike ku shkruhen fjalimet e politikanëve). Por ish-kandidatja republikane për zëvendëspresidente e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka përfunduar në grackën e fotografëve, të cilët kanë mundur të fotografojnë shënime të shkruara në pëllëmbën e dorës së saj, gjatë një prej fjalimeve të Palin. Një ekzaminim nga afër i ish-guvernatores së Alaskës, ndërsa fliste në një aktivitet të Partisë Republikane në Neshvill, gjatë kësaj fundjave, tregoi se ajo kishte bërë shënime në dorë. Fjalët “Energji”, “Taksa” dhe “Ngre shpirtin amerikan” ishin shkruar me stilolaps në pjesën e brendshme të pëllëmbës, bashkë me “Shkurtim buxheti”, por që kjo e fundit më pas ishte fshirë. Ajo vazhdimisht hidhte vështrimin nga shënimet te dora, gjatë sesionit me pyetje-përgjigje me gazetarët, ku mes të tjerash u pyet se cilat duhet të jenë tri gjërat kryesore tek të cilat do të fokusohet shumica republikane në Kongres. Më pas, gjatë një interviste për kanalin “Fox News”, Palin tha se do të kandidonte për presidente në 2012-ën, nëse “do të besonte se kjo është gjëja e duhur për të bërë për vendin dhe për familjen Palin”. Gjithsesi, ajo shtoi se do të ishte absurde të përjashtonte një mundësi të tillë. Palin garoi përkrah senatorit republikan Xhon MekKein në zgjedhjet presidenciale të 2008-ës, që u fituan nga Barak Obama. Gjatë intervistës, e preferuara e konservatorëve theksoi se mendon se presidenti i SHBA-ve duhet t’i shpallë luftë Iranit. Ish-kandidatja e republikanëve për zëvendëspresidente theksoi se Obama duhet të luajë në letrën e luftës, nëse dëshiron të rizgjidhet president në vitin 2012. “Të themi se ai ka vendosur që t’i shpallë luftë Iranit apo se ka vendosur të ndërmarrë të gjitha masat, për të mbështetur Izraelin, gjëra këto të cilat unë do të dëshiroja që ai t’i bëjë. Sulmi ushtarak mund të ndryshojë dinamikën e asaj që mund të ndodhë nga tani, e deri pas tri viteve”, tha Palin. Ish-guvernatorja e Alaskës gjithashtu theksoi se nuk mendon se Obama do të rizgjidhej president, po të mbaheshin zgjedhjet sot.