Topalli uron Krasniqin për dy vjetorin e pavarësisë së Kosovës
Me rastin e dy vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli i ka dërguar një mesazh urimi Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.
"Sot, ditëlindja e Pavarësisë së Kosovës është një ditë e madhe për Kosovën, për Shqipërinë, dhe për të gjithë shqiptarët në botë. Në këtë kremtim historik, kam kënaqësinë dhe nderin e jashtëzakonshëm t'ju uroj ju, dhe nëpërmjet jush, gjithë popullit të Kosovës, qeverisë dhe institucionet e saj të pavarura, për dy vjetorin e shpalljes së Pavarësisë" thuhet në mesazhin e urimit.
Më tej Topalli thekson se "në këtë dyvjetor të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, populli kosovar dhe ne të gjithë, ndihemi krenarë për historinë tuaj të suksesit dhe arritjeve drejt forcimit të institucioneve dhe shtetit ligjor në Kosovë. Kosova sot është më e sigurt dhe faktor shumë i rëndësishëm i stabilitetit dhe paqes në rajon"
"Duke ju dërguar edhe një herë urimet më të përzemërta për këtë ngjarje të madhe të historisë së kombit shqiptar, shpreh bindjen e plotë se njohja e mëtejshme e pavarësisë së Kosovës, do të jetë prioritet i axhendës sime si Kryetare e Parlamentit të Shqipërisë" përfundon mesazhi i urimit i kryetares së Kuvendit Topalli drejtuar homologut të saj kosovar.