E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli, vizitë në Japoni, e shoqëron ish-kryeministri Majko

Kryetarja e Kuvendit, Topalli

Takime me homologun japonez dhe kompanitë e biznesit.

Kryeparlamantarja Jozefina Topalli do të ftojë kompanitë japoneze për të investuar në Shqipëri në fusha të ndryshme të ekonomisë. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, u nis dje për një vizitë zyrtare në Japoni, me ftesë të homologut të saj, kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, Takahiro Yokomichi. Në delegacionin që shoqëron Topallin është dhe ish-kryeministri i socialistëve dhe aktualisht deputeti Pandeli Majko. Gjatë kësaj vizite, kryetarja Jozefina Topalli do të vizitojë kompaninë e njohur botërisht SONY, si dhe kompani të tjera, ku do të ketë mundësinë për të promovuar potencialet investuese shqiptare dhe të ftojë këto kompani të investojnë projekte ambicioze në Shqipëri, thuhet një njoftimin për media të shpërndarë nga zyra e shtypit të Kuvendit. Axhenda e takimeve të kryeparlamentares Topalli parashikon takime të rëndësishme me figura të larta të qeverisë japoneze. Kryetarja Jozefina Topalli do të pritet në një takim nga kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Takahiro Yokomichi, ku pas takimit, dy personalitetet do të japin dhe një konferencë të përbashkët për shtyp. Kryetarja e Kuvendit do të pritet në takime të veçanta nga zv/guvernatori i Mijagit, z. Masahiro Wako, si dhe kryetarja e Bashkisë së Sendait, znj. Emiko Okuyama. Kryetarja e Kuvendit do të zhvillojë gjithashtu një takim me presidentin e Dhomës së Këshilltarëve, Kenji Hirata, e më pas një takim me kryetarin e Grupit Parlamentar të Miqësisë Japoni-Shqipëri, Hiroshi Hase, thuhet një njoftimin për mediat të Kuvendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›