E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli vlerëson mbështetjen e Austrisë për integrimin

Kryeparlamentarja Topalli, e cila ndodhet në Vjenë në kuadër të punimeve të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, në takim me homologen Prammer vlerësoi mbështetjen shumë të rëndësishme që Austria i ka dhënë Shqipërisë në proceset integruese, angazhimin e qeverisë austriake dhe Kancelarit Gusenbauer për njohjen e statusit të Kosovës.

Kryetarja e Kuvendit tha se Shqipëria ka arritur rezultate të jashtëzakonshme në reformat për integrim në BE, ku veçoi standartet e plotësuara për liberalizimin e vizave, si shpërndarja e konsiderueshme e pasaportave biometrike, sigurimi i kufijve, lufta kundër trafiqeve dhe krimit të organizuar e reforma të tjera. Znj. Topalli i bëri të ditur homologes austriake angazhimin dhe punën serioze që ka bërë administrata shqiptare në plotësimin e Pyetësorit të KE-së, i cili ka përfunduar në 90 % të përgjigjeve të tij.

Dy kryeparlamentaret diskutuan dhe mbi projektet austriake në Shqipëri në fushën e ekonomisë dhe investimeve në infrastrukturë, energji, ujësjellësa, ndërsa u theksua nevoja e rritjes së shkëmbimit të përvojave dypalëshe, e cila përbën një orientim kryesor në përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të BE.Temë e takimit mes dy kryetareve të Parlamenteve ishte dhe organizimi e konferencës së ardhshme globale të parlamentarëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›