E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi - Tadiç debatojnë në Samitin e UNESCO-s në Athinë



Presidenti shqiptar, Bamir Topi, është përfshirë në një debat me Presidentin e Serbisë, Boris Tadiç, gjatë punimeve të Samitit të UNESCO-s, që i ka zhvilluar punimet dje në Athinë. Reagimi i Topit ka ardhur fill pas deklaratës së Tadiçit, i cili i akuzoi kosovarët për prishje të kishave dhe manastireve serbe. Gjatë fjalës së tij në këtë samit Tadiç tha se sfida më e madhe ka qenë ruajtja e trashëgimisë kulturore të Serbisë në Kosovë, e cila ka qenë nën administrimin e Kombeve të Bashkuara që nga viti 1999. Ai bëri të ditur se “mbi 150 kisha dhe manastire të ndërtuara në shekullin e 14-të janë shkatërruar gjatë sulmeve të shqiptarëve ekstremistë dhe 35 të tjera janë prishur gjatë masakrës shqiptare në Serbi në vitin 2004”. Tadiçi gjithashtu tha se shembulli më i fundit është rasti i Deçanit të Lartë, prej të cilit autoritetet lokale shqiptare konfiskuan pjesë të territorit. “Kjo nuk duhet të lejohet. Kosova nuk duhet të lejohet të jetë vendi i vetëm ku ligji nuk duhet të forcohet. Rruga ku nuk ka drejtësi, ku nuk ka barazi, nuk mund të jetë rrugë drejt së ardhmes”, - është shprehur Tadiç. Menjëherë pas presidentit Tadiç ka ndërhyrë Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili është shprehur se rajoni i Ballkanit, që gjatë shekujve ka vuajtur nga mendësitë e vjetra dhe nga luftërat, duhet të largohet përfundimisht nga këto mendësi. “Axhenda e Samitit të Athinës vendos qartësisht në zemër të debatit rëndësinë e dialogut kulturor, si një element që sot për sot merr një rëndësi kapitale e të pamohueshme për ndërtimin e zgjidhjeve afatgjata të paqes, zhvillimit të qëndrueshëm dhe kohezionit social në mbarë Europën Juglindore. Ballkani, i cili ka vuajtur jo pak nga mendësitë e vjetra, luftërat dhe konfliktet ndëretnike, duhet patjetër të largohet përfundimisht nga mendësitë ultranacionaliste dhe nga erërat e luftërave ndëretnike dhe ndërfetare, duke u projektuar i tëri drejt integrimit në Bashkimin Europian dhe zhvillimit të një bashkëpunimi ekonomik të qëndrueshëm”, - është shprehur Topi. Ai ka theksuar se Shqipëria dhe institucionet e saj janë të vendosura në rrugën e pakthyeshme drejt integrimit në familjen e madhe europiane. Ndërkohë, presidenti Topi ka theksuar se kultura, pasuritë e vlerat historike të rajonit tonë nuk janë ndërtuar në një ditë, apo në një vit, por janë ngritur përgjatë shekujve dhe janë pjesë e pasurisë së përbashkët e vendeve dhe popujve të rajonit tonë. Presidenti shqiptar, gjatë fjalës së tij në këtë samit, ka vlerësuar marrëdhënien e frytshme dhe afatgjatë me UNESCO-n, Këshillin e Europës dhe Bashkimin Europian për inkurajimin e pluralizmit kulturor, si dhe angazhimin për njohjen dhe respektimin e diversitetit kulturor në rajon.

14 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›