Topi- Emirit të Katarit: Shtoni investimet në Shqipëri

Kreu i shtetit Bamir Topi është takuar sot me Emirin e Katarit, Sheik Hamad Bin Khalifa Al Thani, në Pallatin Mbretëror. Në takim me Emirin e Katarit, kreu i shtetit shprehu interesimin e shtetit shqiptar për rritjen e fuqizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, kryesisht për shtimin e investimeve të Shtetit të Katarit në Shqipëri, zgjerimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve dhe projekteve konkrete në fushën ekonomike, energjetike, infrastrukturore, në bujqësi, agro-industri, sektorin minerar dhe atë të gazit, por dhe në atë të turizmit, në shërbim të zhvillimit të mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve.
Gjithashtu të dy krerët e shteteve vlerësuan pozitivisht klimën shumë të mirë të marrëdhënieve e të dialogut të shkëlqyer politik që ekziston midis dy vendeve, të konkretizuar në shkëmbimin e vizitave të fundit bilaterale të nivelit të lartë, si dhe shprehën vullnetin për zhvillimin dhe fuqizimin akoma më tej të marrëdhënieve miqësore e të gjithanshme midis Shqipërisë dhe Katarit.
Emiri i Shtetit të Katarit, Hamad Bin Khalifa Al Thani, duke nënvizuar faktin se Shteti i Katarit është një partner strategjik afatgjatë dhe serioz në drejtim të bashkëpunimit të gjithanshëm, garantoi mbështetje e bashkëpunim të mëtejshëm e të frytshëm në strategjitë për zhvillim të konsoliduar, në kuadër edhe të organizmave ndërkombëtare si OKB-ja dhe Konferenca e Vendeve Islamike.